ATSH/ Shqipëria ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt një të ardhmeje më të gjelbër me prezantimin e Draftit të Kontributit Kombëtar të Përcaktuar 3.0.

Dokumenti vendos objektiva më ambiciozë për reduktimin e emetimeve të gazrave serrë dhe për forcimin e qëndrueshmërisë ndaj ndryshimeve klimatike deri në vitin 2035.

Sipas draftit, objektivi kryesor është kufizimi i emetimeve deri në 17,4% mbi nivelet e vitit 1990, duke përqendruar përpjekjet në sektorë kyç si energjia, bujqësia, turizmi dhe zhvillimi urban. Kjo qasje synon të ndihmojë vendin të përballojë sfidat mjedisore dhe të promovojë zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.

Drafti i Kontributit Kombëtar 3.0 parashikon gjithashtu një qasje të integruar për financimin, duke kombinuar mbështetjen nga burime publike dhe private, për të minimizuar rreziqet afatgjata dhe për të rritur sigurinë ekonomike të vendit.

Autoritetet nënvizojnë se ky hap përfaqëson një kontribut të rëndësishëm të Shqipërisë në luftën globale kundër ndryshimeve klimatike dhe për forcimin e qëndrueshmërisë mjedisore, duke synuar një zhvillim të qëndrueshëm dhe një ambient më të pastër për brezat e ardhshëm.

Drafti do të shërbejë si bazë për politikat dhe masat konkrete që do të zbatohet nga qeveria dhe aktorët publikë e privatë në vitet në vijim, duke vendosur standarde të reja për menaxhimin e energjisë dhe burimeve natyrore.

e.xh/j.p/