Rruga Elbasan – Qafë Thanë, pjesë e Korridorit 8, për të cilën aktualisht po punohet me ritme të shpejta në terren, është një nga projektet infrastrukturore premtuese me një dimension shumë të rëndësishëm për zhvillimin e turizmit në zonën juglindore të vendit, si dhe lidhjes së vendit tonë me Maqedoninë e Veriut, Greqinë dhe Bullgarinë.
Në lotin 2 të këtij aksi është hapur 80% e trasesë së rrugës dhe ka përfunduar aplikimi i shtresës së parë (nënbazës dhe bazës).
Autoriteti Rrugor Shqiptar bën të ditur se kanë përfunduar punimet e ndërtimit për nënkalimin automobilistik. Vazhdojnë punimet për mbrojtjen lumore të cilat kanë arritur masën 95% të realizimit fizik.
Po ashtu, po punohet për ndërtimin e veprave të artit të vogla, si tombino rrethore dhe tombino katrore (box), mure mbajtëse dhe pritëse. Paralelisht ka filluar procesi i gërmimeve në hyrjet e të dy tuneleve.
Ndërtimi i këtij aksi pritet të lehtësojë qarkullimin e automjeteve duke shkurtuar kohën e udhëtimit si dhe duke rritur njëkohësisht parametrat e sigurisë rrugore.
Gjatësia totale e këtij aksi rrugor është 50,12 km. Kjo rrugë parashikohet të përfundojë në fund të vitit 2027.