Shtëpia e Bardhë njoftoi të premten se zëvendës këshilltari amerikan për siguri kombëtare, Jon Finer u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ndërmarrin hapa për çtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

Zyra e shtypit e Shtëpisë së Bardhë tha se zoti Finer kishte biseduar të enjten me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe të premten me Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç, duke shprehur shqetësimin e Shteteve të Bashkuara për situatën në veri.

“Ai kërkoi nga Qeveria e Kosovës që t’u mundësojë kryetarëve të sapozgjedhur të komunave që t’i kryejnë detyrat e tyre nga vend-ndodhje alternative dhe të tërheqë forcat policore nga ndërtesat komunale. Ai gjithashtu përshëndeti gatishmërinë e kryeministrit Kurti për të punuar për krijimin e kushteve për zgjedhje të reja”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë për bisedën me kryeministrin e Kosovës.

Zoti Finer gjithashtu i bëri thirrje presidentit serb për marrjen e masave për qetësimin e gjendjes.
Tch