ATSH/ Shtimi i sipërfaqeve të gjelbra pyjore mbetet në fokus të bashkisë Pukë.

Bashkia nisi sot mbjelljen e pemëve të reja dhe zëvendësimin e atyre të dëmtuara, e kthyer tashmë në traditë.

Ndërkohë, bashkia e Pukës paralajmëron se personat që dëmtojnë qëllimisht sipërfaqet pyjore do të përballen me ligjin.

“Shtimi i sipërfaqeve pyjore, domosdoshmëri për Pukën. Është koha vetëm të mbjellim dhe t’i themi me çdo kusht STOP shkatërrimit të sipërfaqeve pyjore që ende vazhdojnë të shkatërrohen pamëshirshëm nga persona të papërgjegjshëm që sigurisht do të provojnë peshën e ligjit”, thuhet në njoftimin e bashkisë.

Shtimi i sipërfaqeve të gjelbra pyjore do të vijojë edhe në njësitë e tjera në mënyrë që të përmirësohet cilësia e ajrit, e regjimit të ujërave mbi e nëntokësore, mbrojtja e tokës pyjore nga erozioni e rrëshqitjet etj.

Bashkia e Pukës i bën apel komunitetit që të ndërgjegjësohet për ruajtjen e këtij pyllëzimi, si një detyrim për t’ua lënë brezave që vijnë.