Në kuadër të muajit të bekuar të Ramazanit, Myftinia e Elbasanit organizoi në ambientet e Teatrit “Skampa” një simpozium me temë “Ramazani – Besim, Etikë dhe Përgjegjësi në Shoqërinë Bashkëkohore”, ku morën pjesë besimtarë të shumtë, përfaqësues institucionesh dhe qytetarë të Elbasanit.
Programin e çeli Myftiu i Elbasanit, z. Agim Duka, i cili në fjalën e tij të mirëseardhjes theksoi rëndësinë e Ramazanit si një periudhë pastrimi shpirtëror, afrimi me Zotin dhe forcimi të lidhjeve brenda komunitetit.
Të pranishmit i përshëndeti edhe Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, i cili u shpreh se Ramazani nuk është vetëm muaj agjërimi, por një shkollë shpirtërore që edukon njeriun me vetëpërmbajtje, durim dhe përkushtim. Ai theksoi se besimi duhet të reflektohet në sjellje, ndershmëri dhe përgjegjësi shoqërore, duke nënvizuar se një shoqëri e fortë ndërtohet mbi individë me parime dhe familje të shëndosha.
Më pas, Myftiu i Shkodrës, z. Muhamed Sytari, mbajti një ligjëratën, me temë: “Ramazani dhe Kurani, rikthim te Fjala Hyjnore në një botë të shpërqendruar”, ku ai solli reflektime mbi nevojën për t’u kthyer te Kurani si udhërrëfyes në një realitet gjithnjë e më sfidues.
Në vijim, imami Vladimir Kera trajtoi temën: “Etika e Ramazanit në jetën familjare, publike dhe profesionale”, duke ndriçuar dimensionin praktik të Ramazanit si një shkollë edukimi moral, përgjegjësie dhe vetëpërmbajtjeje në çdo aspekt të jetës.
Programi artistik me ilahi, interpretime dhe i ndërthurur me kumtesat krijoi një atmosferë të veçantë shpirtërore për të gjithë të pranishmit.
Aktiviteti u mbyll me lutje dhe urime për një Ramazan të begatë, me shpresën që kjo periudhë të shërbejë si nxitje për përmirësim personal dhe forcim të harmonisë në shoqëri.
Edlira Xherri


























