Numri dy i Partisë Socialiste, Taulant Balla tha se Shqipëria është ende larg kthimit të normalitetit. Në një intervistë për edicionin e lajmeve në RTV Ora, Balla tha se kishte edhe një thirrje për pensionistët, që të rrinë në shtëpi.

Taulant Balla: OBSH gjithmonë sheh me skepticizëm çdo masë lehtësuese të lëvizjes. Unë do të perifrazoja rekomandimin e OBSH duke thënë që çdo qytetar i çdo pjese të globit duhet të kuptojë që koha për tu rikthyer në jetën normale është ende larg. Pra historia ku dalim për të pimë kafe, apo për të bërë xhiro kot rrugës apo për tu dyndur më parqe është ende larg. Ndërkohë për ata që janë në pension do të doja t’ju kujtoja që është e domosdoshme që të qëndrojnë në shtëpi. Sa kohë që sipas OBSH dhe një pjesë e vendeve të rëndësishme në glob, sa kohë që nuk kemi në duar për përdorim në masë të vaksinës kundër COVID-19 në çdo moment jemi të rrezikuar. 

Balla tha se me përjashtim të bareve dhe lokaleve, shumica e bizneseve të tjera do të hapen në 27 prill, gjithmonë duke ruajtur distancimin social.

Taulant Balla: Shqipëria duhet të përdorë sa më mirë dhe të ketë një orientim të gjithë blerësve drejt prodhimeve shqiptare, sepse sa më shumë të konsumojmë mallra “made in Albania” aq më mirë i bëjmë ekonomisë së vendit. Ndërkohë që rivendosja në punë e gjithë zinxhirit ekonomik ka kërkuar domosdoshmërinë që një numër i madh biznesesh duhet të rikthehen në punë. Duke hequr baret dhe restorantet pothuajse gjithë pjesa më e madhe e bizneseve rikthehet në punë.

Ora News