Kryeministri Edi Rama foli në podcastin “Flasim” rreth vendimit të Gjykatës Kushtetuese, për rikthimin e Erion Veliajt si kryetar Bashkie të Tiranë.Ai u shpreh se qyteti nuk mund të trajtohet si jetim, teksa shtoi se bashkia ka nevojë për një drejtues.

“Shënimi i fundit i kësaj jave të shkurtër lidhet me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të rrëzuar dekretin e presidentit dhe faktikisht, edhe vendimin e qeverisë për shkarkimin e kryetarit të bashkisë së Tiranës. Ka disa rrjedhime logjike nga ky vendim që unë dua t’i rinënvizoj, pasi i kam shprehur edhe paraprakisht. Së pari, siç duket, dhe nuk është hera e parë që duket për të gjithë ata që duan ta shohin, unë nuk i paskam kapur të tëra pushtetet, kjo është fare e qartë apo jo, dhe është një gjë e mirë që duhet ta pranojnë ata që faktikisht, e kundërshtojnë, jo mbi të vërtetat, por mbi të pavërtetat.

Së dyti, nëse Tirana nuk do të ketë zgjedhje deri në 2027 dhe kushtetuesja mendon se kryebashkiaku i Tiranës nuk mund të largohet, përveçse me zgjedhje, atëherë, këtu jemi përballë një disproporcioni të dyfishtë; disproporcionit të mbajtjes së tij në qeli në dëm të lirive dhe drejtave kushtetuese të tij si person dhe si i zgjedhur për të drejtuar qytetin, por dhe disproporcioni në dëm të së drejtës kushtetuese të popullit të kryeqytetit për të shërbyer nga i zgjedhuri vetë apo jo?

Dhe së treti vjen logjikisht çdo njeri normal që nuk sheh tek qëndrimi i kushtetueses një qëndrim të verbër kundër qeverisë, por ama në dëm të madh Tiranës, por sheh një qëndrim të vendosur parimor, nuk ka se si të mos presë që me të njëjtën parimësi, kur të gjykojë paraburgimin e tij, kushtetuesja ta kthejë Erion Veliajn në detyrë për të vijuar procesin gjyqësor në gjendje të lirë, apo jo? Më duket se edhe kjo është gjëja më normale!

Tani, e para dhe e dyta janë të sigurta, e përsëris, pika e tretë mbetet për t’u parë. Ndërkohë që unë dua të theksoj edhe diçka tjetër, çfarëdo është thënë, secili ka drejtë të thotë ça të doji, nuk ka thënë të vërtetën lidhur me arsyen e shkarkimit të kryetarit të bashkisë nga qeveria, si rrjedhojë e vendimit të marrë një Partia Socialiste në Këshillin Bashkiak, sepse e vërteta është shumë e thjeshtë: – Tirana duhet drejtuar, Tirana nuk mund të jetë një trup pa kokë, kryeqyteti i Shqipërisë ka nevojë për të zgjedhurin e vet mbi krye.

Kështu që kush ka në dorë, ndihmojë në zgjidhjen e këtij ngërçi absurd, duhet të kujtohet se përtej të gjitha teorive të tjera të konspiracionit, kryeqyteti nuk mund të trajtohet si jetim për vite me radhë. Ky është një skandal në vet vetë dhe është një skandal për të cilin qytetarët e Tiranës paguajnë një kosto dhe kryeqyteti paguan një kosto, çdo ditë, të padrejtë”, tha kryeministri Edi Rama.

Top Channel