ATSH/ Policia e Shtetit ka realizuar shoqërimin e skuadrës së futbollit të kombëtares së Serbisë nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” Rinas drejt Tiranës.
Masat e sigurisë janë zbatuar nga strukturat operacionale të Policisë së Shtetit, duke garantuar një itinerar të sigurt dhe pa incidente, në përputhje me standardet ndërkombëtare të sigurisë.
Policia e Shtetit bëri të ditur se do të vijojë të zbatojë të gjitha masat e planifikuara në Planin e Posaçëm për të garantuar mbarëvajtjen e aktivitetit sportiv, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për të shmangur çdo incident të mundshëm.
Policia fton qytetarët dhe tifozët sportdashës që të kontribuojnë për një atmosferë qytetare, sportive dhe të kulturuar, në respekt të rregullave dhe të mikpritjes shqiptare.
Ndeshja Shqipëri – Serbi, e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës 2026, do të zhvillohet të shtunën, më 7 qershor, në orën 20:45, në stadiumin “Arena Kombëtare”. /j.p/