Gjergji Mima/ Sociologu pranë Univeristé de Poitiers në Francë, Arbër Shtembari shprehet në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se rreziqet nga rrjeti social TikTok për të miturit dhe të rinjtë janë sidomos shkelja e privatësisë, siguria kibernetike dhe ekspozimi i të miturve ndaj rreziqeve të fshehura.
Sai i përket rreziqeve kryesore për sigurinë dhe privatësinë, sociologu shprehet se, “TikTok, si një nga platformat më të njohura globale, me mbi 1 miliard përdorues, sjell sfida serioze për sigurinë dhe privatësinë, veçanërisht për përdoruesit e rinj. Algoritmet e saj të avancuara mbledhin sasi të mëdha të dhënash personale, duke përfshirë informacione sensitive si vendndodhja, modelet e sjelljes dhe preferencat e përmbajtjes. Këto të dhëna grumbullohen edhe kur përdoruesit nuk postojnë apo ndajnë përmbajtje aktive, çka e bën procesin e mbledhjes së informacionit pothuajse të padukshëm”.
Kjo sipas tij, sjell tre rreziqe të mëdha.
“Së pari, shkelja e privatësisë – Politikat e TikTok për mbrojtjen e të dhënave janë shpesh të paqarta për përdoruesit, veçanërisht për të miturit, duke i lënë ata të pambrojtur ndaj mbledhjes së të dhënave pa dijeni ose miratim të plotë. Informacioni i mbledhur mund të përdoret për qëllime komerciale ose të transferohet te palë të treta, duke përfshirë qeveri ose kompani që mund të keqpërdorin të dhënat. Së dyti, mund të përmendim rreziqet që lidhen me sigurinë kibernetike – Sasia e madhe e të dhënave të ruajtura nga TikTok e bën platformën një objektiv tërheqës për hakerët dhe aktorët keqdashës. Në rastet e shkeljeve të sigurisë, përdoruesit rrezikojnë të ekspozohen ndaj vjedhjeve të identitetit dhe sulmeve të tjera kibernetike.
Gjithashtu, nuk duhet anashkaluar fakti që bëhet fjalë për një platformë në pronësi të një kompanie kineze, gjë që ka ngjallur shqetësime globale mbi mundësinë e ndarjes së të dhënave me autoritetet kineze. Ligjet e Kinës për kërkesën e të dhënave nga kompanitë e saj shtojnë skepticizmin për përdorimin e të dhënave personale jashtë kufijve kombëtarë. Ky shqetësim është bërë më i mprehtë në kontekstin e tensioneve politike ndërkombëtare. Së treti, një rrezik tepër serioz lidhet me ekspozimin e të miturve ndaj rreziqeve të fshehura – TikTok ka një audiencë të madhe të të rinjve, të cilët shpesh nuk janë të ndërgjegjshëm ndaj shkeljeve të privatësisë. Përmbajtjet shpesh filtrohen nga algoritmet në mënyrë që të rrisin angazhimin e tyre, por kjo i ekspozon të miturit edhe ndaj kontakteve të padëshiruara, abuzimeve dhe përmbajtjeve të papërshtatshme, duke minuar privatësinë dhe sigurinë e tyre personale. Gjithashtu, studime tregojnë se përdorimi i TikTok krijon varësi të rrezikshme tek të rinjtë pasi funksionon si një skenë e “performancës së vetes”, ku përdoruesit, veçanërisht të rinjtë, përpiqen të rrisin apo menaxhojnë impaktin tek audienca e tyre kundrejt një përfitimi simbolik ose financiar. Problemi i privatësisë qëndron në faktin se kjo platformë nuk është një skenë intime, por një arenë publike ku të gjitha veprimet monitorohen, regjistrohen dhe përdoren për përfitime komerciale”, shprehet ai.atsh