Edlira Xherri
Në prag të festës së Dita e Verës, parkun Parku Aqif Pasha e pushtoi atmosfera më e bukur e festës: ajo e fëmijëve. Vogëlushët e kopshteve në Elbasan sollën sofrat e tyre të vogla tradicionale, duke e mbushur parkun me ngjyra, buzëqeshje dhe gjallëri.
Të veshur me kostume popullore dhe të ulur rreth sofrave të zbukuruara me elementë tradicionalë, fëmijët krijuan një atmosferë të ngrohtë dhe festive. Në sofrat e tyre nuk mungonte simboli më i njohur i kësaj feste, Ballokume, së bashku me gatime të tjera dhe punime artistike të realizuara nga vetë vogëlushët.
Aktiviteti u pasurua edhe me vizatime dhe krijime të tyre, të cilat u ekspozuan pranë sofrave, duke i dhënë parkut edhe më shumë ngjyra dhe kreativitet. Të shoqëruar nga edukatorët dhe prindërit, fëmijët u bënë pjesë e një feste që përcjell traditën dhe gëzimin e kësaj dite të veçantë.
Në aktivitet mori pjesë edhe Kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, i cili përshëndeti vogëlushët dhe vlerësoi rolin e prindërve dhe mësuesve në ruajtjen dhe përcjelljen e traditave te brezat e rinj.
Ky moment i bukur festimesh tregoi edhe një herë se traditat e qytetit jetojnë dhe vazhdojnë të përcillen me dashuri përmes fëmijëve.




























