Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë Luigi Soreca, ishte i pranishëm mesditën e së dielës në Elbasan, ku teksa pa nga afër procesin e votimit u shpreh se “sot është një ditë e rëndësishme për Shqipërinë”.
Në një prononcim për mediet ai tha se “sot është një ditë e rëndësishme për qytetarët shqiptarë që do të ushtrojnë të drejtën për të votuar. Në këtë qendër votimi por dhe me sa kemi parë, shumë zgjedhës kanë hedhur votën e tyre. Shumë zgjedhës kanë votuar dhe kam parë një prirje që sistemi i ri po funksionon”.
“Në fakt, vijoi ai, ka pasur edhe problem teknike. Kam qenë në një qendër votimi ku pajisja e identifikimit biometrik pati një problem teknik, por ajo u zëvendësua shumë shpejt”- theksoi Soreca.
“Thirrja ime për të gjithë qytetarët shqiptarë është shkoni të votoni, duhet që të ushtroni jo vetëm të drejtën por edhe përgjegjësinë që keni për të votuar. Në fakt kjo është ditë e rëndësishme për Shqipërinë në BE”- deklaroi ai.
“Jemi të pranishëm në të gjithë Shqipërinë me mbi 50 ekipe. Edhe njëherë ju bëj thirrje të gjithëve të dilni të votoni. Votoni, kjo është e drejta dhe përgjegjësia juaj. Mos e humbisni këtë mundësi” – u shpreh Soreca.

























