ATSH-AFP/ – Rreth 200 000 persona kanë gjetur një punë në Spanjë në muajin korrik duke sjellë një rënie të ndjeshme të papunësisë në vend që prej vitit 1996, që shpjegohet veçanërisht nga rimëkëmbja e sektorit turistik, i goditur nga pandemia.

Sipas shifrave të publikuara sot nga Ministria e Punës dhe Sigurisë Sociale, numri i personave të regjistruar si të papunë ka pësuar një rënie prej 197 841 në korrik, në raport me muajin qershor, një rënie prej 5,47 për qind.

Në total, numri i personave të papunë është rreth 3,416 milionë.

“Kjo është rënia mujore më e madhe në të gjithë serinë statistikore, më e lartë se ato të majit dhe qershorit, të cilat tashmë ishin regjistruar”, theksoi ministria në njoftimin për shtyp.

Javën e kaluar, Instituti Kombëtar i Statistikave (INE) kishte publikuar një normë papunësie për tremujorin e dytë në 15,26 për qind të popullsisë aktive, kundër 15,9 për qind në të parin.

Një pjesë e madhe (133,658) e personave që kanë gjetur një punë në korrik e kanë siguruar atë në sektorin e shërbimeve, dominuar në Spanjë nga turizmi, që përbën 13 për qind të PBB-së.

Spanja ka pritur 2,2 milionë turistë të huaj në qershor, nga 204 272 në qershor 2020.

Gjermanët kanë qenë kontigjenti i parë, me një gjysmë milioni turistë (22,6%).

Kjo shifër është shumë larg asaj të qershorit 2019, kur 8,8 milionë turistë mbërritën për të kaluar pushimet në tokën spanjolle./ /ec/