Në Elbasan ka nisur sot zyrtarisht “Kampionati i Shkollave të Mesme” në volejboll për vajza dhe djem, një aktivitet i organizuar nga Bashkia Elbasan, Klubi Shumësportësh Elbasani dhe ZVA Elbasan, me synim nxitjen e sportit shkollor dhe forcimin e frymës së bashkëpunimit mes të rinjve.
Ndeshja hapëse në kategorinë e vajzave solli përballjen mes shkollës “Kostandin Kristoforidhi” dhe “Vasil Kamami”. Vajzat e “Kostandin Kristoforidhit” u treguan superiore në fushë, duke fituar me rezultatin 2–0 dhe duke siguruar fitoren e parë të kampionatit.
Në kategorinë e djemve, sfida mes “Kostandin Kristoforidhit” dhe “Onufrit” përfundoi sërish me një fitore të pastër 2–0 për “Kristoforidhin”, i cili dominoi lojën gjatë gjithë takimit.
Aktiviteti do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, ku priten ndeshje të tjera të forta dhe me interes nga shkollat e qytetit.
Edlira Xherri



























