Beogradi është goditur nga një stuhi breshëri që ka përmbytur rrugët
Kryeqyteti serb që prej pasdites së pesë gushtit ndodhet nën terrorin e motit të keq, me institutin hidrometereologjik që njoftoi se do të ketë rrebeshe shiu, erëra të forta dhe kohë pas kohe breshër.
Ministria e brendshme e Serbisë njoftoi të premten se ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme në mënyrë që të reagojë ndaj shirave të mëdha, në mbrojtjen e popullit dhe pronave.
Stuhia në Serbi erdhi nga Evropa veriore, ndërsa më herët goditi Slloveninë dhe Kroacinë, ku pritet dalje e lumenjve nga shtrati. Edhe në Bosnje Hercegovinë qeveria ka njoftuar për mot të paqëndrueshëm.
Deri më tani, më e goditura mbetet Sllovenia, ku shiu gjatë natës së 4 gushtit shkaktoi përmbytje të mëdha, me lumenjtë që dolën nga shtrati duke bërë që shumë rrugë të jenë ende të mbyllura. Moti i keq ka shkaktuar tre viktima, një sllovene dhe dy holandezë që ndodheshin në një zonë malore afër qyteti Kranj.
Agjencia e Mjedisit të Sllovenisë, ARSO, rriti alarmin në nivelin më të lartë pas shirave të rrëmbyeshme që goditën më shumë pjesë veriore, veriperëndimore dhe qendrore të shtetit.
“Vdekja në Kamnik mund të jetë shkaktuar nga vërshimet, ndërkaq vdekjet në mal mund të jenë shkaktuar nga vetëtimat. Megjithatë, rrethanat e vdekjeve janë duke u hetuar”, tha zyrtarja policore, Maja Adleshiq Ciperle.
Ushtria e shtetit është angazhuar në ndihëm e qytetarëve pas motit të keq.
Top Channel