SHBA-të kanë përdorur një pjesë të arsenalit të tyre më të avancuar ushtarak në sulmet ndaj Iranit, duke mobilizuar forcën më të madhe në Lindjen e Mesme në dekada.

Pas paralajmërimit të presidentit amerikan Donald Trump se SHBA-të ishin “të përgatitura dhe të ngarkuara”, Uashingtoni ndërmori sulme të drejtpërdrejta në bashkërendim me Izraelin. Sipas njoftimeve, operacioni çoi në vrasjen e udhëheqësit suprem të Iranit.

Komanda Qendrore e SHBA-së, (CENTCOM), publikoi listën e armëve të përdorura deri tani në përballjen me Iranin.

Arsenali:

*Bombarduesit e fshehtë B-2 Spirit, avionë strategjikë të padukshëm për radarët, të aftë për të goditur objektiva thellë në territor armik.

*Raketa sulmi tokësor Tomahawk, të lëshuara nga anijet luftarake amerikane. Një prej tyre u qëllua nga shkatërruesi USS Thomas Hudner.

*Dronë me një drejtim LUCAS, mjete ajrore pa pilot të përdorura për goditje precize.

*Sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot dhe THAAD, të dislokuara për të neutralizuar çdo kundërpërgjigje me raketa nga Irani.

*Anije luftarake të klasit Arleigh Burke, të pajisura me sisteme të avancuara raketore.

Para nisjes së sulmeve, SHBA përqendroi në Lindjen e Mesme bombardues strategjikë, anije me raketa të telekomanduara dhe sisteme të mbrojtjes ajrore, në atë që konsiderohet si një nga dislokimet më të fuqishme ushtarake amerikane në rajon në dekadat e fundit.

Operacioni shënon një përshkallëzim të fortë të përplasjes SHBA-Iran, me përdorimin e teknologjisë më të avancuar ushtarake në dispozicion të Pentagonit.

Top Channel