ATSH/ “Takimi muzikor i dy botëve”, titullohet aktiviteti në qytetin turistik të Gjirokastrës, i cili gjatë fundjavës tërhoqi mjaft turistë vendas dhe të huaj.

Ky event e ktheu kalanë e njohur të Argjirosë në Gjirokastër në një vend ku kanë dalë në pah vlerat dhe kultura e vjetër dropullite. Ekspozita fotografike ishte një ndër të veçantat e saj, me pamje nga jeta e banorëve të Dropullit përgjatë një shekulli të shkrepura nga fotografi i mirënjohur minoritar, Jorgos M Vassos.

Gjithashtu nuk munguan as interpretimet e artistit të njohur grek Giannis Karalis që së bashku me bandën e tij interpretuan për turistët e shumtë pjesëmarrës, muzikë tradicionale nga folklori i vendit fqinj.

“Rrugëtimi ynë vazhdon prej 14 vitesh dhe do ta ndërthurim këtë traditë dhe kulturë me muzikë tjetër të re. Përmbyllja finale do të jetë më datën 29 gusht në parkun helen në Tiranë. Gjithashtu sjellim edhe foto të një shekulli jetë dhe bashkëjetesë të zonës së Dropullit”, tha Ilda Mara, organizatore.

Parku Helen në liqenin e Farkës u inagurua vetëm pak kohë më parë,  më datën 18 qershor nga kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, kryebashkiaku iI Athinës Kostas Bakoyannis dhe ambasadorja greke në Shqipëri Sophia Philippiddou, me rastin e 200-vjetorit të “Revolucionit Grek” dhe 50-vjetorin e rivendosjes së marrëdhëneve diplomatike Shqipëri-Greqi. /j.p/