Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bën të ditur se të ardhurat e mbledhura në muajin janar arritën 43 miliardë lekë.

 

Sipas DPT-së, të ardhurat e mbledhura në muajin e parë të vitit rezultuan me rritje prej 5,4 miliardë lekësh krahasuar me janarin e vitit që lamë pas, ose 15% më shumë.

 

“Një ecuri pozitive që reflekton rritje dhe progres”, bën të ditur DPT.

 

Të ardhurat e mbledhura nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve gjatë vitit 2024 llogariten në 405,6 miliardë lekë.

 

Sipas statistikave të publikuara nga DPT, të ardhurat e mbledhura në buxhet rezultuan 5,1 miliardë lekë më të larta krahasuar me planin, si dhe 48,5 miliardë lekë më të larta krahasuar me vitin 2023.

 

Në vitin 2025, të ardhurat totale të buxhetit të shtetit parashikohen të arrijnë 754,650 milionë lekë, nga këto, të ardhurat tatimore 709,854 milionë lekë dhe brenda zërit të të ardhurave tatimore, të ardhurat që mblidhen nga tatimet dhe doganat 499,187 milionë lekë.

 

Ndërkohë, të ardhurat nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe sigurimet shëndetësore, planifikohen të jenë 168,989 milionë lekë.

 

Faktorët që janë marrë në konsideratë, të cilët ndikojnë në rritjen e të ardhurave për vitin 2025, përfshijnë kuadrin makroekonomik për vitin 2025 ku është parashikuar rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto prej 3,9% dhe indeksi i çmimeve 3%, si dhe paketën fiskale 2025, me propozime të cilat gjenerojnë të ardhura shtesë në zërin e akcizës dhe nga taksat nacionale.

 

Njëkohësisht të ardhurat që do të gjenerohen në formën e të ardhurave nga tatimi mbi pagën dhe kontributet si rezultat i zbatimit nga qeveria të reformës në fushën e pagave në 1 korrik 2024 dhe që do të ketë efekt në muajt e parë të vitit 2025, si dhe të ardhurat e projektuara që do të gjenerohen nga përmirësimi në administrimin e tatimeve, taksave dhe detyrimeve të kontributeve, hapa të cilat janë parashikuar edhe në kuadër të zbatimit të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave, 2024-2027. /j.p/atsh