ATSH/ Nga sot nis në gjithë vendin kontrolli i tatimpaguesve që tregtojnë produkte ushqimore dhe blegtorale, me qëllim jo vetëm formalizimin e sektorit, por edhe garantimin e cilësisë së produkteve ushqimore në mbrojtje të konsumatorit.
Më 7 korrik, Administrata Tatimore ka njoftuar rreth 12 mijë tatimpagues përmes faqes zyrtare dhe mesazheve pop-up në llogaritë e tyre në e-Filing, duke u bërë thirrje që çdo mall të shoqërohet me faturë tatimore të fiskalizuar.
Ata paralajmërohen se në rast mosrespektimi do të përballen me penalitetet e parashikuara nga ligji.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve rikujton se çdo produkt bujqësor dhe blegtoral që disponohet dhe shitet duhet të shoqërohet me faturë të fiskalizuar të blerjes, ku duhet të identifikohet qartë shitësi dhe origjina e produktit.
Gjithashtu, çdo produkt që tregtohet tek konsumatori final duhet të shoqërohet me faturë të fiskalizuar, ku të pasqyrohet saktë emërtimi dhe çmimi i produktit. /j.p/