Ditën e nesërme, të premten e 4 prillit te gjitha rrugët të çojnë në pallatin e sportit “Tomorr Sinani”. Në orën 18:00 do të luhet një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit, ku ekipi i basketbollit të meshkujve do të diskutojë ngjitjen në elitën e basketbollit shqiptar me skuadrën e Partizanit.
Të dyja skuadrat janë në kuotë të barabartë pikësh dhe skuadra që fiton ngre trofeun e kampiones së Kategorisë së Parë dhe njëkohësisht ngjitet në Superiore. Skuadra që humbet luan në “play-off”. Në tri përballjet mes tyre këtë edicion, dy herë kanë fituar verdheblutë dhe një herë të kuqtë.
Për këtë ndeshje pritet një pallat sporti i mbushur, me tifozët elbasanas që do të përkrahin masivisht skuadrën e qytetit të tyre. Kështu, pas futbollit ku ka një rivalitet mes Elbasanit dhe Partizanit për vendin e katërt, edhe më i zjarrtë është ky rivalitet në basketboll, ku diskutohet titulli kampion.
Vladimir Mema