Një 65-vjeçar i quajtur Fiqiri Çalliku është vrarë në Xhafzotaj të Shijakut në orët e vona të ditës së mërkurë.

Policia bën me dije se viktima ka qenë së bashku me vëllain e tij Fadil Çalliku 63 vjeç, në pronën e tyre, kur janë konfliktuar me një tjetër person, i cili ka shkuar t’u vjedhë misrin. Situata është agravuar pasi vëllezërit e kanë dalluar dhe janë përleshur me të. Si pasojë 65-vjeçari është goditur me mjet prerës, të cilin autori e përdorte për të prerë misrin.

Menjëherë është tentuar të dërgohet në spital, por fatkeqësisht ai ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra në insitucionin shëndetësor.

Nga ana e grupit hetimor janë shoqëruar disa persona dhe janë sekuestruar prova materiale në vendngjarje. Vijon puna për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.