ATSH/ Nga tërmeti i dy ditëve më parë, në të gjithë territorin e Bashkisë Bulqizë janë gjithsej 62 shtëpi që kanë pësuar dëmtime të përmasave të ndryshme.

Kryetari i bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla doli në terren për të grumbulluar dhe verifikuar informacionet e ardhura rreth dëmeve të shkaktuara.

Alla ishte fillimisht në Shupenzë, ku u verifikuan 23 shtëpi të dëmtuara.

Ai bëri me dije se pas verifikimeve në terren, do të bëhet edhe analiza e situatës për t’ju gjendur pranë të gjithë banorëve që kanë nevojë për mbështetje.

Alla vizitoi nga afër edhe banorët e Zerqanit, banesat e të cilëve janë dëmtuar nga tronditjet sizmike të ditëve të fundit.

Aktualisht janë 23 banesa që kanë pësuar dëmtime të ndryshme e që kanë nevojë për ndërhyrje.

Ndërkohë, menjëherë pas verifikimit përfundimtar, Bashkia Bulqizë do të nisë me vlerësimin e mundësive për t’iu gjendur pranë familjeve më në nevojë.