/ATSH-ANSA/ – Pasaporta dhe viza false që lejojnë hyrjen në vendet e Bashkimit Evropian, SHBA, Kanada dhe Mbretërinë e Bashkuar përbën aktivitetin e fundit kriminal në internet me rritje të shpejtë, që po lejon që shumë anëtarë të ISIS-it të largohen nga Siria dhe që shpërngulen jashtë vendit.

Ky aktivitet kriminal u zbulua gjatë një investigimi të gazetës britanike ”The Guardian”, që nënvizon se ”trafikimi paraqet rrezik për sigurinë e vendeve ku arrijnë të hyjnë këta ekstremistë”.

Gazeta raportoi për një rrjet klandestin, të drejtuar nga një uzbek me lidhje me ekstremizmin islamik, i cili nga Turqia ku jeton, ofron pasaporta pothuajse të padallueshme nga ato origjinale për 15 000 dollarë.

Në të paktën 10 raste personat që kanë hyrë ilegalisht në Turqi nga Siria kanë marrë aeroplanë në aeroportin e Stambollit duke përdorur dokumente false.

Shitësit e pasaportave të falsifikuara thonë se destinacioni më popullor është Bashkimi Evropian, por në dy raste mbajtësit e dokumenteve false ruse kanë udhëtuar nga Stambolli në Meksikë dhe prej andej në SHBA.

Vende të tjera ku synojnë të hyjnë ekstremistët janë Nigeria, Mauritania, Ukraina dhe Afganistani./  /os/