Sesioni veror është mundësia më e mirë për të gjitha ekipet që të përforcojnë skuadrën e tyre dhe të përballojnë sezonin e gjatë që i pret. Kërkesat më të larta janë zakonisht për portën, duke qenë se mundësitë janë të kufizuara. Pjesa më e madhe e skuadrave synojnë që së pari të sigurojnë gardianin dhe më pas të shohin për rolet e tjera në fushë. Një nga portierët që ka nisur të lakohet në mbyllje të këtij kampionati është edhe 23- vjeçari nga Cërriku, Vokli Laroshi, ndaj të cilit kanë nisur ofertat nga disa skuadra.

MERKATO – Me mbylljen e këtij sezoni, Laroshit i ka përfunduar edhe kontrata me skuadrën e Llapit, me të cilët luajti për dy sezone e gjysmë. Ai tani është një lojtar i lirë dhe ish-portierit të Shpresave, ka disa oferta për të vijuar karrierën. Për momentin, 23-vjeçari është mes Kosovës dhe Shqipërisë, ku disa skuadra janë interesuar për shtatlartin cërrikas, të cilët duan ta afrojnë. Mbetet për t’u parë e ardhmja e Laroshit, i cili duket ka arritur edhe pjekurinë maksimale në futbollin profesionist.

KARRIERA – Karriera e Vokli Laroshit ka ardhur gradualisht në rritje, duke e provuar nga kategoritë më të ulëta, ku edhe arriti të marrë eksperiencën që i duhej dhe deri në elitën e futbollit shqiptar dhe atij kosovar. I dalë nga moshat e Shkëndisë, ai u afrua që në moshë të vogël në ekipin e Turbinës në Kategorinë e Parë, duke marrë madje shiritin e kapitenit dhe kontribuar për realizimin e objektivave të skuadrës së tij. Paraqitjet mbresëlënëse të tij ranë në sy të ekipit të Partizanit, i cili e afroi menjëherë në skuadrën e parë, duke besuar në cilësitë e gardianit cërrikas. Pas një rikthimi të shkurtër sërish te Turbina, Laroshi provoi një aventurë në Kosovë me skuadrën e Llapit, ku qëndroi për dy sezone e gjysmë.

REKORDI – Në Kosovë, Laroshi u kthye në protagonist, ku edhe pse në një kampionat të ri dhe të rivalizuar, arriti të tregojë vlerat e tij dhe të thyejë madje rekorde. Ai u aktivizua në 16 ndeshje, duke mbajtur portën të paprekur në plot 7 takime radhazi ose 630 minuta. Gjatë kampionatit, ai është zgjedhur në disa javë edhe në formacionin më të mirë të javës, në sajë të performancës së tij në mbrojtjen e portës së Llapit. Tregues ky i cilësive të cërrikasit, që la përshtypjet më të mira në elitën e futbollit kosovar dhe duke e kthyer në një nga gardianët më të lakuar në këtë merkato vere.

SHPRESAT – Laroshi mund të jetë ndryshe edhe një rast unikal sa i përket grumbullimit të tij në Kombëtaren e 21-vjeçarëve. Nëse në atë periudhë të gjithë lojtarët e grumbulluar nga Alban Bushi militonin në skuadra jashtë vendit apo tek ato elitaret në Shqipëri, Laroshi ishte pjesë e ekipit të Turbinës. Pra, ishte i vetmi që militonte në Kategorinë e Parë dhe ia doli që me performancën e tij me ekipin modest të Turbinës, të merrte ftesë për disa ndeshje nga Kombëtarja e Shpresave të Shqipërisë.