Një ngjarje tronditëse ka goditur Kaliforninë, pasi autoritetet zbuluan detaje të reja rreth vdekjes brutale të Oscar Hernandez, një 13-vjeçari nga Los Angeles, i cili u largua nga shtëpia në fund të muajit mars për të takuar trajnerin e tij të futbollit – dhe nuk u kthye më kurrë

Sipas familjes, Oscar mori trenin për në Antelope Valley me qëllimin për të ndihmuar trajnerin Mario Edgardo Garcia Aquino me uniformat e skuadrës. Disa ditë më vonë, trupi i tij u gjet në mënyrë çnjerëzore – i hedhur në një hendek në Ventura County.

Raporti mjeko-ligjor konfirmoi se vdekja e tij erdhi si pasojë e “helmimit akut nga alkooli”, ndërkohë që autoritetet dyshojnë për një motiv të errët pas kësaj vdekjeje.

Mario Garcia Aquino, një 43-vjeçar nga El Salvadori, është akuzuar për vrasje me rrethana rënduese, përfshirë vrasje gjatë tentativës për akte të pahijshme ndaj një të mituri. Nëse shpallet fajtor, ai përballet me dënimin me vdekje, edhe pse ky dënim është aktualisht i pezulluar në shtetin e Kalifornisë.

Hetuesit besojnë gjithashtu se Garcia Aquino ka qenë i përfshirë në dy raste të tjera të abuzimit seksual ndaj fëmijëve, përkatësisht në vitin 2022 dhe 2025. Një nga urdhrat e arrestit ndaj tij u lëshua vetëm tre ditë përpara se të zbulohej trupi i Oscarit.

Ai është deklaruar i pafajshëm në gjykatë, dhe seanca e radhës është caktuar për muajin gusht.

Sipas një raporti të Los Angeles Times, Garcia Aquino ndodhej në mënyrë të paligjshme në Shtetet e Bashkuara. Departamenti Amerikan i Sigurisë Kombëtare, gjatë administratës së ish-presidentit Trump, e ka cilësuar atë si një “të huaj të paligjshëm dhe të rrezikshëm që nuk duhej të kishte qenë kurrë në këtë vend”.

Hetimet janë ende në zhvillim nga FBI-ja dhe Policia e Los Angeles, ndërsa familja e të ndjerit kërkon drejtësi për humbjen e tmerrshme të djalit të tyre.

Top Channel