Një konferencë për digjitalizimin mund të tingëllojë e mërzitshme kur nuk je specialist IT. Por nuk është aspak kështu kur e përjeton në Estoni. Ky shtet me vetëm 1.3 milionë banorë të jep mësime të jashtëzakonshme se si një vend i vogël mund të udhëheqë botën, kur ka vizion të qartë dhe kur zgjedh të investojë aty ku beson se ka më shumë vlerë: te njeriu dhe teknologjia.

Estonia është një vend që ka dalë nga Bashkimi Sovjetik pa shumë resurse apo buxhet, por me një qëllim: të ndërtojë një shtet digjital. Ata zgjodhën të përqendrojnë investimin e pakët në edukimin teknologjik të çdo brezi, nga fëmijët deri te të moshuarit, me kurse pa pagesë. Me shërbimet 100% online siç prezantohen, duke i dhënë fund burokracive dhe duke krijuar një administratë efikase, transparente dhe moderne. Dhe nuk flitet për veprime të thjeshta. Në Estoni, nga blerja e një makine e deri te regjistrimi i foshnjës të sapolindur, apo madje edhe procesin e divorcit, mund ta kryesh nga një ekran. Pa sportele, pa pritje…vetëm disa klikime larg.

Ndryshe nga shumica e vendeve, Estonia e nisi edukimin teknologjik kur askush nuk thellohej në mundësitë e botës virtuale. Prej fillim viteve 2000, Estonia në mënyrë sistematike diktoi mësimin e teknologjisë që në fëmijëri. Sot, çdo fëmijë mëson programim që në moshën 7-vjeçare, por mbi të gjitha përgatitet edhe për etikën digjitale, menaxhimin e të dhënave personale dhe sigurinë online. Ndërsa që nga shtatori pjesë e programit shkollor do të jetë edhe inteligjenca artificiale, me synimin e qartë e rritjes së një brezi që jo vetëm konsumon teknologji, por e kupton dhe e krijon atë.

Dhe mesa duket kjo metodë ka rezultuar e suksesshme pasi rankohet në botë i pari për edukimin më të mirë. Por gjithashtu kryeson si vendi më i sigurtë me numrin më të ulët të krimeve.
Befasia nuk mbaron këtu. Në Estoni zhduken kufijtë fizikë, nëse ke një ide dhe një kompjuter. Kjo përmes programit e-residency. Ti mund të jesh një shtetas estonez edhe pa lindur e jetuar aty. Pra, të parët në botë përmenden edhe për kartën digjitale të rezidentit që lejon sipërmarrësit kudo ndodhen të regjistrojnë një biznes në Estoni dhe të operojnë globalisht, pa qenë të pranishëm fizikisht në shtetin e vogël baltik. Deri më sot, mbi 125 000 të huaj nga më shumë se 185 vende kanë përfituar nga kjo mundësi.

E shtetasve estonez ju sigurohen edhe më shumë lehtësi, pasi çdo vendas pajiset me një kartë digjitale identiteti që të lejon të nënshkruash dokumente në mënyrë elektronike duke kursyer kohë, të kesh akses në të gjitha shërbimet publike dhe private, të bësh transaksione bankare, madje edhe të votosh online.

Ajo që të habit në Estoni është mungesa e egoizmit teknologjik. Ata nuk duan ta mbajnë modelin e suksesit veç për vete, përkundrazi, e ndajnë me të tjerët. Që prej vitit 2015, Akademia e Qeverisjes Digjitale (eGA) organizon konferencën globale për sigurinë kibernetike, që mbledh qindra pjesëmarrës nga e gjithë bota. Aty diskutohen strategji, krijohen ura bashkëpunimi dhe forcohen lidhje për të ndërtuar bashkarisht një të ardhme më të hapur, më efikase dhe më të sigurt përmes transformimit digjital. Konferenca e këtij viti, me moton “From Bytes to Benefits”, u mbajt më 28-29 maj në lagjen Noblessner në Tallinn. Me pjesëmarrjen e mbi 650 të huajve nga 85 shtete, 100 folës dhe 4 skena paralele, programi trajtoi ndikimin real që digjitalizimi ka mbi mirëqenien e njerëzve. . Si mund të sjellin investimet publike në digjitalizim, përfitime afatgjata për qytetarët? Si mund të ndërtohet besimi në institucione dhe të dhëna? Si mund të krijohet një shoqëri digjitale e përgatitur për të ardhmen? Pyetje që marrin përgjigje me shembullin e Estonisë. Dhe optimiste është se gjithnjë e më shumë vendet e Ballkanit janë pjesë e tryezës. Jo thjesht si spektatorë, por dhe si partnerë.

Një shtet që funksionon i tëri në mënyrë digjitale ka një sfidë të madhe, që është mbrojtja e të dhënave. Dhe pikërisht këtu, Estonia nuk ka bërë kompromis. Këtë kërkon dhe nga Ballkani, ndaj EGA është aktive me mbi 20 projekte në rajon, duke përfshirë trajnime, auditime dhe mbështetje strategjike. Për Shqipërinë, sidomos pas sulmeve kibernetike të shkuara, Estonia me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë i kanë shtrirë dorën duke alokuar 1.6 milionë euro për të forcuar sigurinë kibernetike.

Në fund të gjithë eksperiencës, besoj vërtet se Estonia vlen të jetë muzë për Shqipërinë. Një vizion i mundshëm për ne. Një dëshmi se nuk të duhet të jesh i madh për të qenë i rëndësishëm. Estonia është prova që një vend i vogël, me të kaluar të vështirë, mund të ndërtojë një shtet të ri…jo me tulla e beton, por me guxim dhe vizion digjital.

Top Channel