Kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja e cilësoi sot projektin për transformimin e Parkut Metalurgjik, një potencial të madh ekonomik për qytetin.
Në aktivitetin e organizuar për prezantimin e masterplanit për transformimin e Metalurgjikut ku të pranishëm ishin kryeministri Edi Rama, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, Llatja tha se “që nga viti 1994 kur filloi edhe privatizimi i shumë ndërmarrjeve të ish- Metalurgjikut, ky është një ndër hapat më seriozë për ridimensionimin e kësaj zone me një potencial kaq të madh ekonomik për Elbasanin dhe Shqipërinë”.
“Në fakt ka qenë shumë i paqartë fati i zonës industriale, ku tre ndërmarrje shtetërore në faliment ku një pjesë zotëronte pronësinë, ku infrastruktura ishte e paqartë, ka sjellë një zhvillim i cili pasqyrohet edhe sot në zonën tonë industriale”, tha Llatja.
Kryebashkiaku Llatja u shpreh se “sot në metalurgji operojnë shumë biznese të transformuara nga ish-ndërmarrjet industriale dhe përbëjnë boshtin kryesor të punësimit në Elbasan ku vetëm në zonën tonë industriale kemi mbi 4500 të punësuar”.
“Elbasani ka 7% të GDP totale ku pjesa më e madhe vjen nga zona industriale, nga bizneset që punojnë këtu. Ka edhe problematika një nga problemet kryesore ka qenë krahu i punës i trajnuar. Kemi bërë bashkërisht kurrikulat për shkollat profesionale dhe sot flasim për biznese që rriten në Elbasan dhe në zonën industriale”, nënvizoi Llatja.
Llatja vuri në dukje se kjo zonë industriale kërkon zgjerim të vazhdueshëm.
“Kjo na na jep optimizmin për të bërë punë të mira për Elbasanin dhe për të bërë punë të mira për ekonominë tonë të përbashkët”, tha Llatja.