ATSH/  Transporti ajror i mallrave, është kthyer gradualisht në trendin e rritjes, pas periudhës së masave shtrënguese që u ndërmorën një vit më parë, në të gjithë botën për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19.

Instituti i Statistikave publikoi të dhënat zyrtare për transportin e mallrave ku evidenton se, në muajin mars 2021 volumi i mallrave të transportuar me ajër është 176,8 tonë, duke u rritur me 13,6%, në krahasim me mars 2020.

Krahasuar me mesataren e muajve Mars për periudhën 2018-2020, volumi i mallrave të transportuara me ajër është rritur me 0,1%.

Sipas INSTAT, në tremujorin e parë të vitit 2021, volumi i mallrave të transportuar me ajër është 449,5 tonë duke u ulur me 12,1%, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2020.

Në Mars 2021, numri i fluturimeve të kryera është 1.128 duke shënuar një rritje me 22,3%, në krahasim me Mars 2020. Krahasuar me mesataren e muajve Mars për periudhën 2018-2020, numri i fluturimeve është ulur me 26,1 %.