Me synimin për të rigjeneruar varietete vendase dhe për t’i integruar ato në sistemin ushqimor të vendit, kjo iniciativë po bashkon fermerë, kuzhinierë dhe struktura agroturistike nga e gjithë Shqipëria.
Falë këtij bashkëpunimi, varietete të rralla autoktone po kultivohen dhe promovohen në një rrjet gjithnjë e më të gjerë strukturash, që i japin përparësi produkteve autentike dhe të qëndrueshme.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj tha sot, në një postim në rrjetet sociale, se në këtë rrugëtim janë përfshirë emra si Bio Farm Gramsh, Guesthouse Sabriu, Kamping Erebara, Bujtina “Oxhaku i Doçit”, Bujtina Goleci, Kulla Hupi, Nëna Dashuri, Fustanella Farm, Vila Disha, Blerina Farm, Restorant Bardhi dhe Bujtina Konaku, të cilët po luajnë një rol kyç në ringjalljen e trashëgimisë bujqësore shqiptare.
Varietetet vendase nuk mbeten më vetëm në fushë, por po gjejnë vend të denjë edhe në tryezat e restoranteve të njohura në Tiranë dhe në destinacione të ndryshme turistike në mbarë vendin. Shefa kuzhine po i përfshijnë këto produkte në menutë e tyre, duke sjellë një përvojë unike kulinarie që ndërthur shijen autentike me rrëfimin e historisë së tokës shqiptare.
Për ata që dëshirojnë t’i konsumojnë në shtëpi, produktet autoktone mund të porositen gjithashtu në mënyrë të lehtë dhe të shpejtë përmes platformës Agral Express, duke i bërë këto produkte më të aksesueshme se kurrë më parë.