Nga Fatmir Popja
Turizmi malor në Parkun Kombëtar të Shebenikut, sidomos në “Majën e Kallkanit” edhe gjatë dy muajve të parë të vitit 2025 po përjeton një rritje të ndjeshme . Kjo majë, që ngrihet 2189 metra mbi nivelin e detit në rrethin e Librazhdit është një nga pikat më të bukura dhe nga më të vizituarat nga turistët vendas e të huaj .Dëbora që e ka mbuluar pjesën më të madhe të Parkut Kombëtar të Shebenikut prej muajsh dhe “Majën e Kallkanit” ku trashësia arrin nga 30 deri në 90 cm, e bën këtë vend mjaft të të veçantë sidomos për ata që duan të përjetojnë natyrën dimërore në mënyrë të plotë.Ditët me diell dhe të ndritshme të këtij muaji kanë shtuar dëshirën e grupeve me të rinj dhe jo vetëm nga vendi dhe të huaj, për të eksploruar këtë park të mrekullueshëm. Shumë grupe me turistë ,dita-ditës edhe gjatë muajit Shkurt janë duke shijuar guida fantastike nëpër zonën e mbuluar me borë,ndërsa disa grupe turistësh aventurierë kanë zgjedhur të ngjiten deri në Majën e Kallkanit, që ndodhet në pjesën veriore të Parkut Kombëtar të Shebenikut, në kufi me Maqedoninë e Veriut.Ky park ofron mundësi të shkëlqyera për sporte dimërore, lojëra në borë dhe momente relaksi të paharrueshme, duke bërë që çdo vizitë në Parkun Kombëtar të Shebenikut në rrethin e Librazhdit të jetë një aventurë e veçantë që gjithkush do dëshironte ta përjetonte sa më shpesh.Lyto Alliu, guidë turistike shprehet se gjatë viteve të fundit numri i turistëve ka qenë shumë i lartë ndërsa shtoi se turizmi malor po preferohet jashtëzakonisht shumë si nga vendasit edhe nga të huajt.Alliu është një nga guidat me eksperiencë të gjatë në fushën e turizmit malor dhe nënvizon se në Parkun Kombëtar të Shebenikut dhe në të gjitha destinacionet e tjera turistike në rrethin e Librazhdit si Xhyra,Dardha,Sopoti,Polisi,Stravaj,Rrajca e Qarrishta fluksi sa vjen e rritet dhe për ta përballuar këtë fluks duhen marrë masa për shtimin e bujtinave, Guest House dhe restoranteve me gatimi tipike tradicionale .