Nën një atmosferë të ngrohtë e mikpritëse, vizitorë vendas dhe të huaj ndoqën me interes këtë aktivitet që ndërthuri tingujt frymëzues me hapësirat karakteristike të qytetit të gurtë.
Dirigjenti Altin Babameto i lindur gjithashtu në Gjirokastër theksoi rëndësinë dhe historinë e veçantë të formacionit por edhe vlerën e rikthimit në vendlindje
“Është një nga formacionet më të vjetra në Shqipëri, e cila daton me themelimin e shtetit shqiptar dhe ka shoqëruar gjatë gjithë këtyre 111 viteve gjithë ceremonialin e shtetit tonë. Përbëhet nga muzikantë shumë profesionistë. Ne po bëjmë një tur turistik në Shqipëri, ndër të cilët është dhe Gjirokastra si gjë e veçantë e imja dhe gjithë trupës.”
Koncerti solli një repertor të pasur që përfshinte vepra të njohura shqiptare dhe ndërkombëtare të përshtatura për formacionin frymor. Publiku i pranishëm e përjetoi nga afër këtë bashkëbisedim të drejtpërdrejtë mes muzikës dhe qytetit.
Një nga instrumentistet ndau përshtypjet e saj menjëherë pas performancës: “Ky koncert ka qenë vërtet shumë i mirë, me tinguj muzikorë, me muzikë shqiptare dhe të huaj, dhe besoj që edhe turistët sot u kënaqën.”
Për një pjesëtare tjetër të orkestrës, përvoja në Gjirokastër ishte e veçantë jo vetëm për vlerën historike të qytetit, por edhe për kontaktin e drejtpërdrejtë me publikun.
“Emocion i veçantë është sepse publiku është shumë afër orkestrës, ndryshe nga orkestrat e tjera ku je në një sallë të mbyllur. Ti emocionin mund ta marrësh në mënyrë të drejtpërdrejtë nga spektatorët, dhe kjo e bën edhe më të veçantë orkestrën frymore. Gjirokastra padyshim është një nga qytetet më të bukura, më të veçanta të Shqipërisë, kështu që për ne ishte kënaqësi e veçantë gjithashtu të ishim këtu sot.”
Ky koncert vjen si pjesë e një kalendari të ngjeshur aktivitetesh artistike që po zhvillohen në Gjirokastër gjatë sezonit veror, duke i dhënë qytetit jo vetëm jetë kulturore, por edhe një vëmendje të shtuar nga turistët që kërkojnë përvoja autentike. “Turizëm përmes tingujve” demonstroi se si muzika dhe trashëgimia mund të ecin paralelisht, duke fuqizuar identitetin dhe imazhin e destinacioneve shqiptare.
Top Channel