Pyetja për origjinën e ujit në planetin tonë mbetet ende pa një përgjigje përfundimtare, ndërsa teori të ndryshme ofrojnë shpjegime të kundërta.
Tani, një studim i ri paraqet prova të reja që mund të ndryshojnë mënyrën se si e kuptojmë këtë çështje.
Toka njihet si “Planeti Blu” për shkak të oqeaneve të saj të mëdha me ujë. Por nga vjen i gjithë ky ujë? Është një pyetje që ka qenë objekt diskutimi në shkencë për shumë kohë. Një teori sugjeron se uji ka origjinën në rajonet e jashtme të sistemit diellor dhe është sjellë në Tokë nga asteroidë dhe kometa. Një teori tjetër pohon se uji ishte tashmë i pranishëm në materialin shkëmbor të Tokës së hershme dhe është liruar gradualisht me kalimin e kohës. Por cila është e vërteta?
Një ekip studiuesish nga Universiteti i Oksfordit tani pretendon se ka gjetur prova që mbështesin një nga këto teori. Ata kanë analizuar një lloj të lashtë dhe të rrallë meteoriti, të njohur si kondrite enstatite – të cilat kanë përbërje shumë të ngjashme me Tokën e hershme, rreth 4.5 miliardë vjet më parë. Kjo sugjeron se ato mund të kenë qenë ndër “blloqet ndërtuese” të Tokës.
Studiuesit analizuan nga afër një prej këtyre meteoritëve, i cili është gjetur në Antarktidë, dhe zbuluan gjurmë të hidrogjenit brenda tij. Ndërsa pjesë të tjera të meteoritit, që tregonin çarje dhe papastërti si ndryshku, kishin shumë pak ose aspak hidrogjen.
Përfundimi i tyre: Hidrogjeni në këta meteorë duhet të ketë qenë i pranishëm që në formimin e Tokës. Dhe nëse Toka është formuar nga i njëjti material, atëherë është shumë e mundur që uji i saj e ka origjinën pikërisht aty. Sipas studiuesve, kjo gjetje vë në pikëpyetje idenë e mëparshme që uji në Tokë është sjellë kryesisht nga kometat dhe asteroidët e sistemit të jashtëm diellor pas formimit të planetit.
“Ne tani besojmë se materiali nga i cili u formua planeti ynë – dhe që mund ta studiojmë përmes këtyre meteoritëve të rrallë – ishte shumë më i pasur me hidrogjen sesa kemi menduar më parë,” tha bashkëautori James Bryson në një deklaratë.
Sipas udhëheqësit të studimit, Tom Barrett, rezultatet e tyre ofrojnë prova të rëndësishme që mbështesin teorinë se uji është primordial – domethënë, ka qenë në Tokë që në fillimet e saj. Studimi u publikua në revistën Icarus.
Top Channel