Sekretari i Përgjitshëm i PS Damian Gjiknuri së bashku me Kryetarin e Bashkisë Elbasan Gledian Llatja dhe me deputeten Desantila Tahiraj zhvilluan një bashkëbisedim me banorë të fshatit Kuqan, fokusi i të cilit ishte zhvillimi ekonomik që ka marrë zona fushore e Elbasanit pas investimit në unazën bujqësore.
Investimi madhor i Qeverisë Shqiptare, tha Gjiknuri, nuk do të kishte qenë i mundur pa një bashkëpunim shumë të mirë me Bashkinë e Elbasanit, e cila është garanti që projektet të zbatohen me korrektësi dhe shërbimi të shkojë tek qytetari.
“Në fakt këtu nuk është thjesht zgjedhja e një individi për të ardhmen e Elbasanit. Këtu është zgjedhja e një koncepti, e një filozofie zhvillimi për të gjitha ato që ju keni shqetësim dhe keni nevojë për të ardhmen.
U përmend një fakt këtu që vetëm nga ndryshimi i rrugës, nga ky investim i bërë nga qeveria shqiptare këtu pati një hov ekonomik në bujqësi. Kjo është e vërteta. Dhe kërkesa sa vjen e do shtohet.
Po si u bë kjo? Dua ta lidh edhe binomin qeveri – bashki.
Bashkia në vetëvete sado mirë të administrohet me taksat e qytetarëve të Elbasanit e ka të vështirë të adresojë të gjitha nevojat që ka për infrastrukturë fshati dhe qyteti. Kjo është e vërteta.
Kjo rrugë u bë nga qeveria shqiptare. Projektet i çoi bashkia, financimi i qeverisë shqiptare.
Roli i Gledit është të mirëadministrojë taksat lokale, të bëjë projekte të mira për t’u mbështetur nga qeveria dhe ato taksa lokale që ka bashkia ti çojë aty ku është më e nevojshme.
Një gjë ky ka ditur ta bëjë mirë. Ky ka ditur ta balancojë nevojën e fshatit me të qytetit. Më përpara vëmendja dhe shqetësimi ka qenë që gjithçka do shkojë në qytet se aty janë shumica e votave, se politikanët mendojnë ku kanë votat aty edhe do të çojnë dhe më shumë investime.
Jo, Gledi sidomos vitin e fundit, unë jam dëshmitar vetë, ka ditur të balancojë paratë e taksapaguesve duke investuar shumë në fshat. Në rrugë, në ndërhyrje në kanalizime, në gjëra që kanë të bëjnë me infrastrukturën e fshatit. Kjo është meritë” tha Gjiknuri.
Për të bërë një paralelizëm me ofertën e opozitës në këto zgjedhje vendore, Gjiknuri u kërkoi banorëve të Kuqanit të kujtojnë vetëm një punë që kandidati tjetër ka bërë në këtë zonë.
“Prandaj them që vota nuk është thjesht se kë do zgjedhim. Aty konkurojnë organizatë politike, aty konkuron filozofia qeverisëse, por mbi të gjitha çfarë përfaqëson.
Kundërshtari politik Luçiano Boçi nuk është një figurë e re. Ai ka qenë kryetar i Partisë Demokratike të Elbasanit. Ka kandiduar për kryetar bashkie në 2007-ën dhe ka humbur. Tashmë e kanë ricikluar për ta sjellë prap në drejtim të bashkisë së Elbasanit. Por njerëzit e dinë se çfarë bëhej në atë kohë. Pra kush qe, çfarë drejtimi politik bëri ai në bashki kur qeveriste Sali Berisha edhe Ilir Meta se bashkë ishin. Atëherë pse duhet ta votojmë ne prapë? Për koicidencë, merreni si të doni, janë po këta dy njerëz. Këta janë pronarët, padronët e vërtetë. Xhagai i vërtetë i këtij njeriu në terren është Ilir Meta me Sali Berishën. Ai është përfaqësues i këtyre këtu.
Po shih çfarë thotë ai xhagai i madh bashkë me Ilir Metën, ne thotë sa të marrim bashkitë ne duam të përmbysim qeverinë. Bashkitë do kthehen në bunker politik për të promovuar revolucionin e Saliut. Kjo është e vërteta.
Prandaj elbasanllinjtë janë para një zgjedhje ta kthejnë Elbasanin në bunker për interesa të “martesës” së re Berisha – Meta apo të shikojnë projektet e zhvillimit? Me projektet që ka nisur Gledi me mbështetjen e Edi Ramës dhe me projekte të tjera që do vijnë” vijoi Gjiknuri.
Më tej ai u ndal në investimet e mëdha të cilat kanë nisur tashmë në Elbasan dhe pritet t’i japin një hov zhvillimit të mëtejshëm ekonomik.
“Patjetër që projektet e mëdha si “Bypass-i” këtu do të sjellë më shumë zhvillim. Sidomos për ju që do doni lidhje më të mira për tregjet, për eksportet, për ardhjen e furnitorëve të ndryshëm për të blerë mallin tuaj këtu. Kjo patjetër do krijojë mundësi më të mira.
“Bypass-i” shumë shpejt do të fillojë nga puna dhe kjo do të jetë një avantazh shumë më i madh për njësinë tuaj.
Mos kini garanci thjesht te një njeri. Se një njeri është si ajo fjala kokë më kokë, siç thotë populli e ha fjalën. Kini garanci te një ekip, te një organizatë.
Gledi nuk është vetëm. Jam dhe unë, është dhe Dasantila është gjithë ky ekip. Edhe një gjë që merret angazhim këtu edhe po nuk e bëri ai jam unë këtu si drejtues politik. Do i them: Gled kemi dhënë këtë premtim, çfarë nevoje ke ta bëjmë këtë gjë? Na besoni si një ekip.
Çojeni votën e këshillit te Partia Socialiste. Pse? Ky s’duhet të rrijë peng i negociatave me një njeri. Ky duhet të ketë vendimmarrjen e pastër, mbështetjen e këshillit bashkiak me qëllim që projektet që thotë ti çojë përpaa” përfundoi Gjiknuri.
Kryebashkiaku Llatja vuri në dukje rëndësinë që bashkia i ka dhënë bashkëqeverisjes me qytetarët duke i bërë ata pjesë të vendimmarrjes, siç është “Buxhetimi me Pjesëmarrje”. Llatja renditi disa nga investimet e bëra në fshat ku unaza bujqësore ndikoi drejtpërdrejt në ekonomitë e tyre familjare.
“Kam qenë në Kuqan disa herë për kafe të vogla, për të takuar njerëz për të bashkëbiseduar, për të folur me njerëzit, jo vetëm tani, por gjatë të gjithë kohës në vazhdimësi. Këtu në këtë sallë kemi bërë edhe Buxhetimin me Pjesëmarrje, kemi bërë planin afatmesëm të buxhetit të bashkisë së Elbasanit, jo vetëm buxhetin koherent.
Kemi ardhur kemi diskutuar për problemet, për hallet që kemi pasur, këtu u bë një nga investimet më të mëdha që ju na e kërkonit. Ju më thonit se këtu kemi një potencial shumë të madh ekonomik, kemi fushën e Elbasanit, kemi të gjithë potencialin ta bëjmë sera, kur ishim tek unaza bujqësore. Dhe realisht unaza bujqësore ishte një investim shumë i mirë i joni, i qeverisë shqiptare. Një gjë e kërkuar nga ju, e filluam aty, filluam paralelisht me rrugën e varrezave të shumë fshatrave tonë.
Filluam me një sërë investimesh të tjera kabllat ABC, vendosja e sistemit të linjave, diku kemi filluar ujësjellësat, diku kemi akoma për të bërë për ndërhyrje. Kemi hapur kanale kulluese dhe vaditëse.
Një popull i përgjegjshëm mendon mirë para se të shkojë të votojë, tha Llatja, duke kërkuar që para se të vendosin, banorët e Kuqanit të krahasojë alternativat që kanë përballë:
“Këtu bëhet dallimi ndërmjet nesh dhe atyre. Çfarë kanë bërë për Elbasanin këto në të gjithë këto vite në politikë? Të dalë ndonjë dhe të thotë ka bërë një rrugë, ka bërë një shkollë, apo ka kërkuar meqë nuk e paska pasur bashkinë vetë, ka kërkuar në bashki apo në Këshill Bashkiak të bëj një gjë. Fare, zero!” shtoi Llatja.
Kryetari i Bashkisë shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë PS-së fshati Kuqan. Ai u shpreh i bindur se banorët e këtyre zonave do të dinë të vendosin sërish:
“Do t’ju falenderoja të gjithëve për mbështetjen që më keni dhënë. Di t’ju them një gjë dorë në zemër.
Më keni pasur këto katër vite mbështetje, kam bërë maksimumin tim, dhe kam pasur një mbështetje dhe e kam sot e kësaj dite shumë të madhe jo vetëm të Damianit, jo vetëm të Desantilës deputetes tone, por edhe të kryeministrit Rama.
Elbasani na mbështet fuqishëm. Mbështet PS, mbështet Damianin, mbështet Desantilën, mbështet Edi Ramën, dhe duam të bëjmë punë të mira për komunitetin. Dhe prandaj dua t’ju kërkoj një mbështetje të fortë edhe për veten për të qenë përsëri bashkë edhe këto katër vite, por edhe për PS të shqipërisë dhe Këshillin Bashkiak tonin” përfundoi fjalën e tij Llatja.
Deputetja Desantila Tahiraj po ashtu kërkoi mbështetje sidomos përsa i përket Këshillit Bashkiak, pasi, sipas saj, Gledi njihet me anë të punës dhe banorët këtë se venë në dyshim.





























