TIRANË, 26 gusht/ATSH/ Universiteti i Burimeve Natyrore dhe Shkencave të Jetës, Vjenë (BOKU) do të jetë partner strategjik i Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe do të shërbejë si një model orientues për objektivat, veçanërisht në drejtim të ndërkombëtarizimit të strukturave dhe ofertës akademike.
Dy universitetet do të bashkëpunojnë në të gjithë nivelet e ofrimit të dijes si mësimi, kërkimi shkencor, transferimit të njohurive dhe teknologjive bujqësore, digjitalizimit, reformimit institucional dhe menaxhimit te universitetit.
Kryeministri Edi Rama, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca si dhe rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Fatbardh Sallaku, zhvilluan një takim me rektoren e re të Universitetit BOKU, Prof. Schulev-Steindl.
Takimi u zhvillua në Vjenë (Austri), në kuadër të vizitës së delegacionit shqiptar të kryesuar nga kryeministri Rama, i cili mori pjesë në forumin europian Alpbach, me temë “Zgjimi gjeopolitik i BE-së”, dy ditë më parë.
“Ripërtëritëm angazhimin e dakordësuar dhe me ministrin e Bujqësisë së Austrisë, Norbert Totschnig, që ta shtrijmë edhe në nivel ndërqeveritar, për ti dhënë mundësinë e artë rinisë shqiptare që të marrë në Tiranë diplomën e një prej universiteteve më prestigjoze në Europë për shkencat e agronomisë dhe ushqimit nga BOKU”, u shpreh ministrja Krifca në rrjetet sociale.


























