Universiteti “Aleksandër Xhuvani” i Elbasanit mirëpriti së fundmi një grup prej 50 akademikësh nga 24 universitete evropiane, në kuadër të zhvillimit të dy takimeve të projektit europian COST Action, një nismë që mbështet bashkëpunimin shkencor ndërdisiplinor në të gjithë Evropën.

 

Ekspertë të fushave si shkencat humane, komunikimi, gjuhësia kompjuterike, shkencat politike, sociale dhe shkencat kompjuterike u mblodhën në ambientet e universitetit për të shkëmbyer dije dhe përvoja, si dhe për të forcuar më tej bashkëpunimin ndërkombëtar në kërkimin shkencor.

 

Në fjalën përshëndetëse, Rektorja e Universitetit, Prof. Dr. Elvira Fetahu, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit akademik ndërkombëtar dhe rolin aktiv që Universiteti i Elbasanit luan në nxitjen e mobilitetit shkencor dhe zhvillimin e kërkimit. Ajo vlerësoi gjithashtu pjesëmarrjen e gjerë të akademikëve nga universitetet partnere dhe evidentoi rëndësinë e lidershipit të grave në shkencë.

 

Takimi u zhvillua nën koordinimin e Vrije Universiteit Amsterdam, një ndër institucionet lidere në kërkimin ndërdisiplinor dhe bashkëpunimin europian.

 

Të pranishëm në aktivitet ishte edhe Ambasadori i Vendeve të Ulëta në Tiranë, Sh.T. Reinout Vos, i cili përshëndeti pjesëmarrësit dhe theksoi rëndësinë e shkëmbimit akademik për ndërtimin e një Europe më të bashkuar dhe të qëndrueshme. Ai vlerësoi kontributin e universiteteve në promovimin e dijes dhe vlerave demokratike.

 

Ky aktivitet shënon një tjetër hap të rëndësishëm në ndërkombëtarizimin e Universitetit të Elbasanit dhe në përfshirjen e tij aktive në rrjetet e bashkëpunimit shkencor evropian.

Edlira Xherri