Një zbulim i bujshëm po bën xhiron e botës së muzikës dhe fansave të Freddie Mercury-t: këngëtari legjendar i grupit Queen thuhet se ka pasur një vajzë sekrete, e lindur në vitin 1976 nga një lidhje e fshehtë me gruan e një miku të ngushtë.

Por, teksa ky pretendim ka ngjallur kuriozitet të madh, po aq ka ngjallur edhe skepticizëm – sidomos për mungesën e një dëshmie publike të testit të ADN-së.

Zbulimi është bërë nga autorja britanike Lesley-Ann Jones, e njohur për librat e saj të mëparshëm për Mercury-n, David Bowie-n dhe The Beatles. Në librin e saj më të ri “Love, Freddie”, që publikohet këtë shtator, ajo rrëfen historinë e vajzës – tashmë 48-vjeçare – e cila ka jetuar e fshehur nga publiku, por jo nga Mercury, që sipas librit, e ka njohur, dashur dhe mbështetur gjatë gjithë jetës së tij.

Dyshime dhe presion për prova

Pas publikimit të historisë, shumë fansa në rrjetet sociale janë shprehur dyshues. Pyetja kryesore është: a ka një test ADN-je që konfirmon lidhjen biologjike mes Mercury-t dhe vajzës?

Në një reagim në rrjetin X (ish-Twitter), autorja Jones tha: “Ju lutem, jini të sigurt se verifikimi i nevojshëm është marrë. Ekipet ligjore janë përfshirë. Masa të tilla janë private dhe nuk ndahen publikisht.”

Kjo deklaratë nuk ka qetësuar të gjithë skepticizmin. Shumë komentues kërkojnë prova të drejtpërdrejta shkencore, pa të cilat janë të gatshëm të cilësojnë rrëfimin si “sensacionalizëm” apo edhe si një “truk marketingu”.

Jones, nga ana tjetër, mbetet e bindur: “Askush nuk do të kishte mundësinë të falsifikonte një histori kaq të detajuar. Vajza më kontaktoi para tre vitesh dhe kemi punuar bashkë pa qëllime përfitimi. Instinkti im ishte të dyshoja për gjithçka – por jam absolutisht e bindur që ajo është vajza e tij.”

Një letër personale dhe ditarë të ruajtur

Sipas autorës, Mercury i ka dhënë vajzës së tij 17 ditarë personalë para vdekjes në vitin 1991. Në librin e ri, përfshihet edhe një letër e shkruar me dorë nga vajza, ku ajo deklaron: “Freddie Mercury ishte dhe është babai im. Ai më adhuronte dhe ishte i përkushtuar ndaj meje.”

Megjithatë, mungesa e një testi ADN-je të publikuar apo e ndonjë deklarate zyrtare nga rrethi i afërt i Mercury-t, përfshirë anëtarët e Queen apo Mary Austin, vijon të mbajë këtë histori në kufijtë mes misterit dhe dyshimit.

Top Channel