/ATSH-I.Vata/ Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka miratuar dhe listën e kandidatëve për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese.
Gjykata e Lartë njoftoi se Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka përcjellë në Gjykatën e Lartë më datë 15 gusht, raportin e miratuar dhe listën me dokumentacionin shoqërues të kandidatëve që kanë konkurruar për vendin vakant të Gjykatës Kushtetuese, të shpallur nga Gjykata e Lartë më datë 21 shtator 2019, rishpallur më datë 19 prill 2019, rishpallur më datë 03.06.2021, si dhe rishpallur më datë 15.11.2021.
Zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, në zbatim të detyrimeve ligjore që burojnë nga pika 3 e nenit 7/ç të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë” (i ndryshuar), nenit 4 të Rregullores së Mbledhjes së Posaçme të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë për zgjedhjen e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, si dhe të nenit 26, pika 2 të ligjit nr. 98/2018 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, ka vendosur thirrjen e Mbledhjes së Posaçme të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, për të zgjedhur anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, ditën e hënë, datë 12.09.2022, ora 10.00. /j.p/



























