ATSH/ Qendrat e vaksinimit antikovid do të hapen për të gjithë qytetarët mbi 18-vjeç në datat 29-30 qershor.

Sipas portalit qeveritar e-Albania, nga pasditja e të shtunës dhe deri tani numërohen 4,124 aplikime të reja në shërbimin elektronik “Kërkesë për vaksinim COVID-19”, në e-Albania.

Gjithashtu, bëhet e ditur se janë njoftuar për të kryer vaksinën edhe rreth 19,200 qytetarë mbi 18 vjeç, që kishin aplikuar në e-Albania, por ishin të pa lajmëruar deri tani, për shkak se nuk përmbushnin kushtin e moshës, sipas fashave të përcaktuara nga Komiteti Teknik i ekspertëve, si kategori prioritare për t’u vaksinuar.

Të gjithë qytetarët mbi 18 vjeç, që janë të interesuar për t’u vaksinuar, mund të aplikojnë në portalin e-Albania për të kërkuar për t’u vaksinuar.

Sistemi e-Albania do të njoftojë vendin e vaksinimit, sipas qyteteve dhe do të jenë kryesisht qendrat e vaksinimit të përqendruar, ato të cilat do realizojnë vaksinimet për ditët e hapura./m.m//a.a/