TSH-Maela Marini/ “Në 100-vjetorin e Tiranës kryeqytet, fillimi i punimeve për ndërtesën e Teatrit të ri Kombëtar i bën nder kryeqytetit, sikurse asnjëherë më parë në këto 30 vite nuk kemi pasur kaq shumë teatro, stadiume, vepra të tilla në shërbim të kulturës në këtë vend”, deklaroi sot kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Balla tha se ne jemi në fillim të punës për t’i dhuruar Tiranës dhe Shqipërisë një teatër kombëtar si i ka hije Tiranës.
Sipas tij, “ish-godina e Teatrit Kombëtar u nis si kazermë për ushtrinë pushtuese italiane dhe nuk i bënte nder Shqipërisë në vitin 2020”.
“Para 20 vitesh protestohej kundër prishjes së ndërtimeve pa leje anës Lanës, para 3 apo 4 vitesh me pistoleta nga ana e opozitës protestohej kundër ndërtimit të këndit të lojërave në parkun e liqenit, kundër stadiumit kombëtar, bulevardit të ri të Tiranës. Këta këtë punë kanë”, tha Balla.
I pyetur se përse nuk u bë një referendum për këtë çështje, Balla tha se “në demokraci populli qeveris me përfaqësinë”. “Populli i Tiranës ka votuar në 30 qershor për të mandatuar këshillin bashkiak të Tiranës, ka votuar në 2017 për të mandatuar këtë qeveri për të drejtuar vendin. Nëse do të kishte pasur një kërkesë për referendum duhej të depozitohej dhe të plotësonte gjithë kriteret e nevojshme. Shqiptarët nuk i merr për budallenj Luli dhe Monika se e dinë që vetëm te teatri nuk e kanë hallin ata të dy”, tha Balla.
Sipas tij, “në demokraci vendos shumica dhe pakica respekton vendimin e shumicës”.
“Kam patur mundësinë gjatë këtyre 2 ditëve të komunikoj me miq e kolegë në Parlamentin Europian që kanë qenë keqinformuar lidhur me gjithçka është ekzekutuar. Ky është një vendim ligjor. Lidhur me Gjykatën Kushtetuese di vetëm që ka një ankimim nga institucioni i Presidentit të Republikës lidhur me ligjin që ka kaluar në Kuvend, që i ka kaluar të gjitha efektet se janë ezauruar të gjitha afatet. Kur bëhet fjalë për ligje që përcaktojnë afate terminimi i afateve e bën nul ligjin”, tha Balla.
Ai theksoi se “Gjykata Kushtetuese që në momentin më të parë të qasjes me këtë kërkesë do të anuloj çështjen se nuk ekziston më, sepse ai ligj ka mbaruar”. “Ligji në fjalë ishte hapja e një procedure për të ndërtuar teatrin jo me para publike por me PPP. Ajo ka dështuar se ka dështuar negocimi për atë çështje prej disa kohësh. Bashkia e Tiranës si autoriteti pronësor i ish-godinës së vjetër dhe godinës së re ka nisur një procedurë tërësisht transparente e njohur për të gjithë, ku siç u kërkua që të mos ndërtohej me PPP, por të ndërtohej nga shteti. Tani që e ndërton shteti thonë pse e ndërton, por teatri do të bëhet”, tha Balla.
Lidhur me protestat, Balla tha se “kurrë nuk ka për të pasur krahasim sa kohë PS të jetë në qeverisje sjellja mes Policisë së Shtetit sot dhe kur drejtohej politikisht nga Sali Berisha”.
“Unë kam qenë në të gjitha protestat e PS-së dhe kam ndjekur me vëmendje protestat e opozitës, por koha kur protestuesit qëlloheshin me plumba ditën për diell ka përfunduar. Policia e Shtetit për mënyrën e administrimit të situatës artificiale të krijuar për qëllime politike, ka vepruar sipas çdo protokolli”, tha Balla. /a.g/