Nga Edlira Xherri
Në Bibliotekën “Qemal Baholli” Elbasan u zhvillua sot një ekspozitë përkujtimore me libra dhe pulla postare, në kuadër të 583-vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës, kushtuar heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Aktiviteti mblodhi studiues, dashamirës të librit dhe të rinj, me synimin për të rikthyer në vëmendje figurën e Skënderbeut përmes botimeve dhe filatelisë shqiptare ndër vite.
Ekspozita mban titullin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në librat dhe pullat postare shqiptare 1480–2025”, dhe përveç botimeve të zakonshme, solli edhe dy risi për publikun: prezantimin për herë të parë të dy veprave të patriotit Kristo Floqi kushtuar Skënderbeut, të cilat nuk janë ekspozuar më parë.
“Organizojmë një ekspozitë përkujtimore me libra dhe pulla postare, kushtuar heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut. E zgjodhëm Elbasanin, sepse është qyteti i kulturës shqiptare dhe i Shkollës Normale, që ka përgatitur mësues për të gjitha trevat shqiptare, për Kosovën dhe për Shqipërinë, duke dhënë një kontribut të çmuar në zhvillimin e arsimit dhe kulturës shqipe. Sot prezantojmë dy risi që nuk janë paraqitur më parë: dy vepra të patriotit Kristo Floqi kushtuar Skënderbeut.”
Programi i aktivitetit nisi me prezantimin e tre librave të panjohur më parë. Dy prej tyre janë krijime të Kristo Floqit: poezia epike “Skënderbeu” dhe drama historike kombëtare “Skënderbeu”, ndërsa libri i tretë, “Skënderbeu, Shqipja që ndaloi Perandorinë Osmane”, është botim i autorëve italianë Aldo Diomedes dhe Claudio Di Gia, botuar në shkurt të vitit 2026.
“Heroi ynë kombëtar njihet nga rinia dhe nga mësuesit, por atij nuk i është dhënë roli i duhur. Në vitin 2023 kam realizuar veprën ‘Bibliografi – Gjergj Kastrioti Skënderbeu në veprat e autorëve shqiptarë’, e cila përmban 510 autorë shqiptarë që i kanë kushtuar krijime Skënderbeut. Kjo vepër duhet të jetë në çdo bibliotekë shkolle, në mënyrë që nxënësit të njohin më mirë veprat për heroin tonë kombëtar.”
Në kuadër të aktivitetit, drejtoresha e Bibliotekës, Elisa Janku, theksoi rëndësinë e aktiviteteve të tilla për afrimin e nxënësve me librin dhe historinë kombëtare.
“Biblioteka nuk është vetëm një hapësirë ku ruhen libra, por një qendër aktive e jetës kulturore. Përmes aktiviteteve si kjo ekspozitë, synojmë të afrojmë nxënësit me librin dhe historinë, t’i nxisim ata të lexojnë më shumë dhe të njohin figurat kyçe të kombit tonë. Skënderbeu mbetet një simbol që duhet të jetë gjithmonë pranë brezave të rinj.”
Ekspozita përfshiu edhe koleksionin privat të studiuesit dhe koleksionistit Hysen Dizdari, si dhe dhurime librash nga Dizdari dhe familja Kaçulini për Bibliotekën e qytetit të Elbasanit. Vizitorët patën mundësinë të njihen me një listë të gjerë të botimeve shqiptare dhe pullave postare kushtuar Skënderbeut, duke pasur një pamje të plotë të mënyrës se si figura e heroit kombëtar është trajtuar në librat dhe botimet shqiptare ndër vite.
Në përmbyllje, pjesëmarrësit u shprehën se kjo ekspozitë nuk është vetëm një udhëtim në historinë e kombit, por edhe një mundësi për të frymëzuar të rinjtë të njohin trashëgiminë kulturore dhe të kuptojnë rëndësinë e librit si mjet edukimi dhe njohjeje të identitetit tonë kombëtar.



























