Në Elbasan ka nisur një aksion i ri pastrimi, që për herë të parë përfshin larjen me ujë të bollshëm dhe me presion të rrugëve dhe trotuareve kryesore të qytetit.

Ky proces po realizohet nga Bashkia Elbasan, në bashkëpunim me Drejtorinë e Zjarrfikëses dhe kompaninë “Alko-Impex”, e cila është përgjegjëse për pastrimin dhe mirëmbajtjen e qytetit. Mjetet zjarrfikëse dhe pajisje të specializuara po përdoren për të siguruar një larje sa më efektive të sipërfaqeve publike, duke ndihmuar në largimin e pluhurit dhe papastërtive të akumuluara.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja thekson rendesinë e kësaj nisme duke vlerësuar angazhimin e të gjithë ekipeve ne terren.

” Ekipet tona janë në terren për pastrimin e rrugëve kryesore të qytetit.
Angazhim i plotë i punonjësve të ASHP për fshirje, larje dhe pastrim.”

 

Aksioni po monitorohet dhe drejtohet nga Drejtoria e Mbikëqyrjes së Pastrimit të Qytetit dhe nga Inspektorati i Mjedisit në Bashkinë Elbasan, me qëllim garantimin e zbatimit korrekt dhe të plotë të planit të pastrimit.

“Ky është një aksion që synon jo vetëm pastrimin estetik të qytetit, por edhe krijimin e një ambienti më të shëndetshëm për qytetarët. Në verë, kur pluhuri dhe temperaturat janë të larta, ndërhyrje të tilla janë të domosdoshme për higjienën dhe cilësinë e ajrit,” tha një përfaqësues i Bashkisë Elbasan.

Aksioni do të shtrihet në të gjitha zonat kryesore të qytetit, përfshirë rrugët me fluks të lartë automjetesh, sheshet publike dhe hapësirat përreth institucioneve.

Kjo është një ndër masat konkrete të ndërmarra nga Bashkia për të përmirësuar cilësinë e jetës në qytet dhe për të forcuar standardet e pastrimit urban.

Edlira Xherri Elbasaninews.al