Nga Edlira XHERRI
Sot, në kuadër të nismës kombëtare “Male të Pastra”, u zhvillua një aksion pastrimi në tre nga zonat më të dashura të Elbasanit: Gjinar, Krastë dhe Funar.
Ky angazhim i përbashkët është një kujtesë se mbrojtja e mjedisit nuk është vetëm detyrë, por edhe përgjegjësi qytetare. Elbasani vijon të mbetet shembull i përkujdesjes ndaj natyrës, duke e ruajtur të pastër e të bukur për brezat që vijnë. 🌳♻️
Në këtë aksion morën pjesë kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, si edhe deputetët e zgjedhur Aulona Bylykbashi dhe Adi Qosja, të cilët iu bashkuan vullnetarëve dhe të rinjve që kontribuan për një mjedis më të shëndetshëm.
Kryebashkiaku Gledian Llatja tha:
“Sot është dita e maleve të pastra, ku Bashkia Elbasan nisi një aksion në Funar, Gjinar dhe në Krastë që është mushkëria e qytetit të Elbasanit, për pastrimin e saj. Përveç strukturave të bashkisë janë bashkuar edhe shumë vullnetarë, kryesisht të rinj, të cilët e duan ambientin, e duan pyllin dhe gjelbërimin, për një ambient më të shëndetshëm dhe të pastër.
Sot, në fakt, është një ditë ku duam t’u bëjmë apel të gjithë qytetarëve ta mbajnë të pastër natyrën, ta mbajnë të pastra zonat pyjore, të kenë shumë kujdes sidomos kur bëjnë zgara dhe patjetër ta ruajnë atë jo vetëm nga zjarret, por edhe nga papastërtitë.
Ka qenë një ditë e mirë pasi na u bashkuan shumë të rinj dhe qytetarë të Elbasanit në këtë nismë për pastrimin e zonave malore dhe për një natyrë më të pastër në qytetin tonë.”
Ky aksion tregon se kur qytetarët, institucionet dhe të rinjtë bashkohen për një qëllim të përbashkët, ndryshimi bëhet i prekshëm. Male më të pastra sot, do të thotë jetë më e shëndetshme nesër për të gjithë.