Agjencia e Shërbimeve Publike Elbasan ka vijuar me pastrimin e Përroit të Gurres, me gjatësi rreth 2 kilometra, një ndër kanalet kryesore kulluese të zonës. Ky aksion është pjesë e ndërhyrjeve të planifikuara çdo vit për të parandaluar përmbytjet dhe për të garantuar mbrojtjen e tokave bujqësore dhe banesave.
Punimet e kryera kanë një rëndësi të veçantë, pasi shërbejnë për të mbrojtur qindra hektarë tokë dhe dhjetëra banesa, duke ofruar siguri për banorët e Shushicës dhe fshatrave përreth. Kujdesi i përvitshëm dhe pastrimi i kanaleve të tilla janë mënyra më e mirë për t’u përballur pa rrezik me shirat e dendur që priten në stinën e vjeshtës dhe të dimrit.
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, i ka kushtuar një rëndësi të veçantë këtyre punimeve, duke theksuar se parandalimi është garancia më e madhe për sigurinë e komunitetit. Ai ka bërë të qartë se puna paraprake dhe monitorimi i vazhdueshëm janë prioritet i bashkisë për të mbrojtur qytetarët dhe pronat e tyre.
Falë këtij kujdesi dhe ndërhyrjeve të rregullta, banorët e zonës ndihen më të mbrojtur dhe më të sigurt përballë çdo situate të mundshme gjatë muajve me reshje intensive.