Përroi i Manazderes në qytetin e Elbasanit po i rikthehet pamjes që meriton. Punonjësit e Ndërmarrjes së Pastrimit po përmbyllin ndërhyrjen për pastrimin e plotë të kësaj zone, ku për një kohë të gjatë ishin grumbulluar mbetje urbane dhe inerte, duke ndikuar negativisht në mjedis dhe në jetën e banorëve të lagjes përreth.
Kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja, ka ndjekur nga afër procesin e pastrimit dhe thekson se ky nuk është një aksion i njëhershëm, por pjesë e një strategjie më të gjerë që synon mbrojtjen e mjedisit urban dhe rritjen e cilësisë së jetës për qytetarët.
“Kemi ndërhyrë në përroin e Manazderes për të larguar të gjitha mbetjet dhe për t’i dhënë lagjes një hapësirë më të pastër dhe më të shëndetshme. Për të ruajtur këtë standard, kemi vendosur kamera monitorimi dhe çdo akt ndotjeje do të ndëshkohet. Nuk do të tolerojmë më hedhjen e mbetjeve jashtë koshave apo në ambiente të pambuluara,” – u shpreh z. Llatja.
Gjatë javëve të fundit, krahas pastrimit fizik të përroit, janë marrë masa konkrete për të ndaluar rikthimin e kësaj zone në një pikë të paligjshme grumbullimi mbetjesh. Vendosja e kamerave të sigurisë do të shoqërohet me penalitete administrative për shkelësit, si dhe me kontrolle të vazhdueshme nga strukturat përkatëse.
Bashkia Elbasan u bën thirrje të gjithë qytetarëve të jenë bashkëpunues në ruajtjen e pastërtisë dhe të njoftojnë çdo rast të ndotjes ose hedhjes së paligjshme të mbetjeve.
Investimet në pastrim dhe mirëmbajtje të mjedisit janë pjesë e një angazhimi të vazhdueshëm të Bashkisë Elbasan për të kthyer qytetin në një model të gjelbër dhe të jetueshëm për të gjithë.
Edlira Xherri