Nga 2 tetori, Teatri “Skampa” do të kthehet në qendrën e artit dramatik, duke hapur siparin e edicionit të 27-të të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “Skampa Extension”.

Prej gati tre dekadash, ky festival është shndërruar në traditën më të madhe kulturore të qytetit, duke mbledhur në një skenë të vetme trupa teatrore vendase dhe të huaja.

Edicioni i këtij viti vjen me moton “Extension” (zgjerim), duke sjellë 11 shfaqje nga trupa të njohura ndërkombëtare nga Turqia, Greqia, Kosova, Lituania, Serbia dhe Shqipëria. Përveç shfaqjeve, programi do të pasurohet me seminare, ekspozita fotografike dhe promovime librash, duke e kthyer Elbasanin në një qendër të gjallë të artit dhe kulturës.

Festivali zhvillohet me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit si dhe të Bashkisë Elbasan, nën kujdesin e kryetarit Gledian Llatja.

Që prej themelimit, “Skampa” ka pritur me qindra trupa teatrore, duke e vendosur Elbasanin në hartën e festivaleve ndërkombëtare dhe duke dëshmuar se ky qytet është një vatër e rëndësishme e kulturës dhe artit skenik, traditë që vit pas viti forcohet dhe rinovohet.