Në prag të Ditës së Verës, nxënësit dhe mësuesit e shkollave “Qendër Komunitare” të bashkisë Elbasan organizuan “Panairin e Zejeve”, ku tradita dhe krijimtaria e brezit të ri bashkohen për të ruajtur vlerat tona kulturore.

Të mbledhur nga të gjitha shkollat qytet e fshat ata kane sjellë traditën e bukur të secilës zonë që përfaqësonin. Ky panair në rrugicat e kalase  solli magjinë e ngjyrave, kostumeve dhe gatimeve të Elbasanit me moton e përçimit të traditës brez pas brezi.

Ashtu si në çdo aktivitet në kuadër të Javës së Verës, kryetari i bashkisë Elbasan, Gledian Llatja shoqëruar nga Deputetia Evis Kushi dhe drejtoresha e zyrës Arsimore, Vesa Llanaj Liço, panë nga afër çdo stendë të përgatitura me mjeshtëri nga nxënësit.

Z.Llatja theksoi se aktivitete të tilla i bëjnë fëmijët të njohin identitetin kombëtar traditat dhe trashëgiminë kulturore.Sakaq Kushi e Liço ndër të tjera u shprehen se kjo nismë zhvillon talentin dhe rrit dëshirën e nxënësve tanë për të ruajtur, promovuar dhe mbajtur gjallë vlerat kulturore dhe traditën shqiptare

Secila shkollë ekspozoi traditat dhe kulturat e zonës me qëllim ruajtjen dhe promovimin e tyre. Ndonëse në pamje të parë fragmente të tilla na kthejnë vite pas në fund na kujtojnë vlerat kulturore dhe traditën unike shqiptare. Vetë të rinjtë përçuan mesazhin e ruajtjes së traditës një amanet i pashkruar nga të parët.

Të larmishme janë aktivitetet e parashikuara nga Bashkia e Elbasanit ku nuk mungojnë as risitë.

Për rreth një javë Elbasani shndërrohet në kryeqytetin e festimeve duke pritur mijëra miq.

Edlira Xherri Elbasaninews.al