Pasioni për sportet ekstreme dhe ngjitjet në male e kanë shoqëruar Altin Seranin prej vitesh. Çdo fundjavë dhe çdo kohë të lirë ai ia ka kushtuar natyrës, duke eksploruar majat e maleve dhe vijën bregdetare që ofron Vlora.

Me aparatin fotografik gjithmonë me vete, ai ka fiksuar pamje mbresëlënëse nga lartësitë e maleve, por edhe nga brigjet e detit. Pamje që tregojnë jo vetëm aventurën, por edhe bukurinë e jashtëzakonshme natyrore që ka ky qytet.

Këto fotografi tashmë janë pjesë e një ekspozite të hapur prej dy ditësh, ku në muret e sallës janë vendosur panoramat më të spikatura nga zonat ku ai ka shkelur. Kryesisht nga majat e maleve dhe bregdeti i Vlorës, imazhet sjellin një tjetër këndvështrim për qytetin.

Përmes kësaj ekspozite, Altini synon t’u tregojë qytetarëve se Vlora nuk ofron vetëm detin apo malin, por një pasuri të rrallë natyrore dhe turistike në çdo cep të saj. Një pasion i kthyer në art dhe një ftesë për ta parë Vlorën me më shumë vëmendje.

Top Channel