Myftinia e Elbasanit dhe Komuniteti Mysliman i Shqipërisë kanë kënaqësinë të njoftojnë se Xhamia e Ballies ka fituar çmimin prestigjioz për “Arkitekturën më të Bukur Fetare në Botë” në konkursin ndërkombëtar “Building of the Year 2025” të organizuar nga ArchDaily.

 

Pse ka rëndësi ky çmim?

 

ArchDaily është platforma më e madhe globale për arkitekturë dhe dizajn, e cila ndikon fuqishëm në industrinë ndërkombëtare të arkitekturës. Çmimi “Building of the Year” është ndër më të lakmuarit në botë sepse:

 

Përzgjedhja bëhet nga një komunitet global profesionistësh dhe pasionantësh të arkitekturës, duke reflektuar vlerësimin më të lartë të publikut ndërkombëtar.

 

Vlerëson ekselencën, inovacionin dhe ndikimin kulturor të projekteve arkitekturore nga e gjithë bota.

 

Vendos në qendër të vëmendjes ndërkombëtare projektet dhe arkitektët që ndërtojnë të ardhmen e arkitekturës.

 

Vlera dhe Simbolika e Çmimit për Xhaminë e Ballies

 

Ky vlerësim ka një vlerë të jashtëzakonshme dhe simbolike për Xhaminë e Ballies, e cila jo vetëm që përfaqëson një monument të shenjtë të besimit, por edhe një vlerë kulturore dhe arkitekturore për qytetin e Elbasanit dhe gjithë Shqipërinë.

 

Xhamia e Ballies është një dëshmi e harmonisë së arkitekturës tradicionale dhe modernes, duke ruajtur vlerat shpirtërore dhe duke ofruar një hapësirë të shenjtë për adhurim dhe reflektim. Ky çmim e vendos Xhaminë e Ballies në vëmendjen ndërkombëtare si një simbol të besimit dhe kulturës shqiptare.

 

Falënderime të Veçanta

 

Një mirënjohje e veçantë për arkitektin Z. Jurtin Hajro dhe Commonsense Studio për vizionin dhe përkushtimin e tyre të jashtëzakonshëm në realizimin e këtij projekti të mrekullueshëm.

 

Falënderime të sinqerta për Ambasadën e Kuvajtit dhe Familjen Alshajie për mbështetjen bujare dhe përkushtimin e tyre ndaj komunitetit dhe kulturës sonë shpirtërore.

 

Mirënjohje për Qendrën ICC Albania për kontributin dhe angazhimin e tyre në realizimin e këtij projekti monumental.

 

Mirnjohe Bashkisë dhe Këshillit bashkiak qe e aprovuan këtë projekt në menyrë unanime.

 

Një falënderim i veçantë për Z. Xhemal Al Hadad ,familjen e tij dhe Fondacionin e tij Bamirës, të cilët me përkushtimin dhe humanizmin e tyre kanë ndihmuar në realizimin e kësaj vepre madhështore.

 

Ky çmim është një krenari për të gjithë komunitetin mysliman dhe një dëshmi e bukurisë dhe madhështisë së trashëgimisë sonë shpirtërore dhe kulturore.Urime të përzemërta dhe suksese të mëtejshme në shërbim të besimit dhe kulturës sonë kombëtare!

 

Xhamia e Ballies ka një histori të gjatë dhe domethënëse për Elbasanin dhe përtej tij. E ndërtuar fillimisht në vitin 1608 nga Hasan Balliu, xhamia u bë një nga ndërtesat më të rëndësishme të besimit islam në qytet, duke reflektuar jo vetëm artin dhe mjeshtërinë e kohës, por edhe vlerat shpirtërore të komunitetit mysliman. Gjatë regjimit komunist, ajo u shemb, ashtu si shumë objekte të tjera të kultit në Shqipëri, por historia e saj nuk përfundoi aty. Në vitin 2022, xhamia u rindërtua, duke ruajtur frymën e origjinalit, por me një qasje arkitekturore moderne dhe inovative.

Projekti i rindërtimit u bazua në një koncept që ndërthur traditën me elementët e arkitekturës bashkëkohore. Një vëmendje e veçantë iu kushtua dritës natyrore, materialeve të përdorura dhe simboleve që pasqyrojnë lidhjen e besimtarëve me fenë dhe përjetësinë. Ndriçimi natyror luan një rol kyç në dizajnin e saj, duke krijuar një hapësirë harmonike që frymëzon reflektim dhe qetësi shpirtërore. Përdorimi i materialeve tradicionale si guri, druri dhe bakri, të cilat ndryshojnë dhe fitojnë vlera estetike me kalimin e kohës, e bëjnë këtë xhami një shembull të shkëlqyer të arkitekturës që respekton të kaluarën dhe njëkohësisht shikon drejt së ardhmes.

Xhamia e Ballies është i vetmi objekt kulti në Evropë që ka arritur në këtë fazë të garës, duke dëshmuar se ndërthurja e identitetit fetar dhe arkitekturës moderne mund të krijojë një monument me vlera të jashtëzakonshme.