ATSH/ Kalaja e Rozafës mirëpriti mbrëmjen e djeshme natën e dytë të edicionit të 6-të të festivalit “Za Fest”.
Artistët Elina Duni, Vlashent Sata, Amor Del Rey, Lylnit performuan këngët më të njohura të repertorit të tyre për artdashësit shkodranë dhe jo vetëm.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ndau momente nga mbrëmja e dytë e festivalit.
“”ZA Fest” i shtoi magjinë Rozafës me festivalin e dritave dhe muzikën e mirë. Sot, të tjerë të ftuar ju presin në Shkodër. Edicioni VI i “Za Fest” u mundësua me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës”, u shpreh Margariti.
Mbrëmjen e sotme që është edhe e fundit e këtij festivali po në kalanë e Rozafës do të interpretojnë Cristiana Verardo, Las Migas, Jericho, Bijat.
Nata e parë e festivalit u zhvillua në Shirokë ku performuan artistët Jeton Neziraj, Erenik Beqiri, Arben Bajraktaraj dhe Linda Linda Rukaj.
Festivali Za Fest, i cili ka nisur rrugëtimin 6 vite më parë, zbulon thesaret e folklorit shqiptar, duke ndërthurur muzikën, legjendat, poezinë dhe kinemanë.
ZA Fest me misionin e tij kryesor, promovimin e traditës, vlerave dhe kulturës së Shkodrës, më herët është zhvilluar edhe në Theth, duke tërhequr një numër të madh vizitorësh. Kësaj here vëmendja mbetet brenda qytetit, e sidomos te kalaja e Rozafatit.



























