ATSH-AFP/ – Kroacia po studion mundësinë për ardhjen e vizitorëve çekë gjatë verës në përpjekje për të kufizuar ndikimin e pandemisë së koronavirusit të ri mbi një sektor turistik jetësor për ekonominë e vendit, njoftoi sot një ministër.
Sipas medias kroate, operatorët çekë të turneve qëndrojnë pas kësaj nisme të quajtur “korridore turistike” drejt Kroacisë.
Propozimi u diskutua nga zyrtarë të lartë të të dy vendeve.
“Turistët çekë, të cilët do të duhet të marrin një çertifikatë shëndetësore që tregon se nuk janë të infektuar, do të lejohen të udhëtojnë në Kroaci përmes rrugëve ajrore apo tokësore”, theksuan mediat kroate.
“Ne kemi diskutuar tashmë me Republikën Çeke për këtë fakt, që ata të përgatisin propozimet e tyre dhe ne të përgatisim tonat”, theksoi Minitri kroat i Turizmit, Gari Cappelli.
“Ne jemi të varur nga turistët e huaj, të cilët përbëjnë 90% të të ardhurave të sektorit”, shtoi ai.
Kryeministri Andrej Plenkoviç theksoi javën e kaluar në një mesazh në Twitter se kishte rënë dakord me homologun e tij çek, Andrej Babis që ministrat e turizmit të dy vendeve do të ofrojnë një model të pranueshëm për ardhjen e turistëve çek këtë sezon”.
Sipas mediave kroate, një model i ngjashëm është parashikuar edhe për turistët austriakë dhe hungarezë.
Në vitin 2019, rreth 20 milion turistë, përfshirë mbi 700 000 çekë udhëtuan për në Kroaci, shumica përgjatë bregdetit të saj spektakolar të Adriatikut./ /ec/