ATSH/ – A është zemra juaj në formë? Këtë përgjigje mund ta zbuloni me një test të thjeshtë të propozuar nga një ekip studiuesish spanjollë, shkruan faqja e njohur italiane e shëndetësisë melarossa.it.

Në këtë mënyrë do të jetë më e lehtë për të kuptuar nëse keni nevojë apo jo për një kardiolog.

Zemra mund të vuajë nga sëmundje të ndryshme, disa janë asimptomatike dhe për këtë arsye nuk mund të dallohen lehtë.

Në përgjithësi, patologjitë më të zakonshme janë ataku kardiak, sëmundjet strukturore të zemrës, aritmitë kardiake dhe infarktet.

Sigurisht, rreziku i zhvillimit të sëmundjeve të zemrës ose kardiovaskulare (si ataku, goditjet në tru ose angina) varet nga duhanpirja, stresi, obeziteti, diabeti ose hipertensioni si dhe mënyra e një jetese sedentare,

Për këtë përgjigje na vjen në ndihmë një test i zhvilluar nga Spitali Universitar ”La Coruna” (Spanjë), ku studiuesit spanjollë prezantuan punën e tyre në kongresin e fundit të Shoqatës Evropiane të Kardiologjisë.

Në studim, ata vlerësuan se një person që mund të ngjisë katër kate shkallësh, ekuivalenti i rreth 60 shkallëve në më pak se një minutë atëherë ai ka një zemër të shëndetshme.

Anasjelltas, njerëzit të cilëve u nevojiten më shumë se 1,5 minuta duhet të takojnë një kardiolog.

Për të arritur në këtë rezultat, studiuesit testuan me një grup prej 165 vullnetarësh.

Personat me shëndet të mirë mund të ngjisnin 60 shkallë në 40-45 sekonda, ndërsa ata që morën më shumë se një minutë e gjysmë kishin një rrezik më të madh të vdekshmërisë në lidhje me çrregullimet kardiovaskulare.